DO TË KETË NDËSHKIME PËR TË DY PËRFAQËSUESET. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, foli sërish për hetimin e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke pranuar se do të ketë masa ndëshkuese, por duke mbrojtur institucionin që ai drejton dhe duke theksuar se ishte e pamundur që të evitohej shortimi në një grup mes këtyre dy vendeve. “Sa i përket asaj që ndodhi në Beograd, ne do të ndërhyjmë dhe do të ketë ndëshkime. Ne jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me serbët, kroatët, kosovarët dhe shqiptarët.
Por këtu ka edhe probleme të mëdha politike. Në 2007-n Azerbajxhani dhe Armenia ishin në luftë mes tyre dhe nuk luajtën, ndaj morëm vendimin që të mos I shortonim së bashku. Me Shqipërinë dhe Serbinë kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë. Nëse Shqipërinë nuk do ta kishim lejuar të ishte në një grup me Serbinë, atëherë nuk duhet ta shortonim as me Maqedoninë dhe Greqinë. Mirëpo kjo është gati e pamundur. Ne prandaj po punojmë me këto vende, me presidentët dhe kryeministrat e tyre, që kanë përgjegjësi kryesore për çështjet e sigurisë kombëtare. Por këto gjëra sërish ndodhin dhe kjo më trishton. Vlerësova shumë çfarë ndodhi te Lacio, kur lojtarët serbë dhe shqiptarë pozuan së bashku. Ky është futbolli I vërtetë, ai që duhet t’i afrojë njerëzit dhe jo t’i largojë ata”, u shpreh dje kreu i UEFA-s në televizionet franceze. Platini foli gjithashtu edhe për dhunën dhe racizmin në futboll, sidomos në Europën Lindore, duke deklaruar se disa në çështje mund të tregohesh tolerant. Sipas tij, ka disa fenomene të tjera që vështirë të luftohen. “Ne kemi marrë aksione dhe vendime mbi racizmin dhe ksenofobinë. Për këtë ka disa shembuj. Dy më të mëdhenjtë janë kur lojtarët ofendohen nga tifozët, por në një rast të tillë edhe unë personalisht nuk kam se çfarë të bëj, pasi jam në tribunë. Ndërsa çështja e dytë është ajo e korrupsionit në futboll, që prek çdo pjesëmarrës të kësaj loje. Ju e dini që jetojmë në kohë të vështira dhe në Europën Lindore ka shumë racizëm”, bëri të ditur Platini. Më pas, kreu i UEFA-s pranoi se për rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri do të ketë ndëshkime.