Një tjetër shtetas që po lëvizte me biçikletë në qytetin e Shkodrës është aksidentuar.

Ngjarja ka ndodhur përballë varrezave katolike të Rrmajit teksa një autoveturë ka përplasur një person që po ecte me biçikletën e tij. Nga sa bëhet e ditur makina ka aksidentuar 60 vjeçarin Nikolin Gjoni, banues në lagjen Skenderbeg.

60 vjeçari është përplasur në tokë dhe ka marrë plagë në kokën e tij. Menjëherë vetë personai që e ka aksidentuar e ka futur në makinën e tij dhe e ka dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës duke përfituar edhe nga afërsia e vendit të ngjarjes me spitalin. Burime pranë urgjencës bëjnë me dije se shtetasi Nikolin Gjoni ka marrë plagë në kokën e tij por është jashtë rrezikut për jetën. Fillimisht është menduar se ndodhej në gjëndje të rëndë për shkak të traumës në kokë por në vetëm pak kohë e ka kaluar rrezikun.

Nga sa bëhet e ditur 60 vjeçari ka respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe ka tentuar që të kalojë në vizat e bardha për të prerë rrugën dhe për të shkuar më pas në shtëpinë e tij në lagjen “Skenderbeg” që ndodhet shumë afër vendit të aksidentit. Duke ecur është aksidentuar për shkak se shoferi i makinës për momentin nuk e ka parë 60 vjeçarin.

Ky është rasti i tretë brenda pak kohësh kur persona që lëvizin me biçikletë në rrugët e qytetit aksidentohen nga makinat duke qenë në disa raste edhe të rrezikshme për jetën e tyre. Pavarësisht masave të policisë dhe kontrolleve të herë pas hershme situata vazhdon të jetë problematike ndërsa shoferët ende nuk janë ndërgjegjësuar se brenda qytetit duhen respektuar rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur kështu këto aksidente.

Artikulli paraprakTUSK-BRITANISË: PROGRES DHE PASTAJ BISEDIME PËR TREGTINË E LIRË
Artikulli tjetërZJARRFIKËSIT AMERIKANË, TRAJNIM ME KOLEGËT NË SHKODËR