Po kontrollonin për kanabis, plagoset një punonjës policie
Një punonjës policie është plagosur në shpatull dhe kokë, pasi është rrëzuar në një zonë të pyllëzuar gjatë një aksioni policie antikanabis. Gjatë kontrollit të territorit mbi Palohor të Delvinës në një terren të pyllëzuar e të thepisur, në afërsi të malit Sopot, punonjësi i Policisë B.H, duke kontrolluar në këmbë territorin është rrëzuar aksidentalisht dhe u dëmtua në shpatull dhe kokë. Menjëherë është transportuar në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore. Pas ndihmës së parë të dhënë në spital, Polici i lënduar do të transportohet me helikopter për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka telefonuar menjëherë punonjësin e Policisë duke i uruar shërim të shpejtë dhe i siguroi se do të merret çdo masë e nevojshme dhe ndihmë mjekësore.