Presidenti Ilir Meta replikon me analistin Agron Gjekmarkaj, pas kritikave të këtij të fundit për dhënien e dekoratave, ku mes të tjerash në një analizë kushtuar kësaj çështjeje, theksonte se “Heronjtë që dekoroi Ilir Meta janë tri mite të së majtës shqiptare. Presidenti pa dyshim që po luan edhe politikisht”.

Kreu i Shtetit sqaron në një postim të gjatë në “Facebook’ se “Presidenti i Republikës, si asnjë institucion tjetër në Republikën e Shqipërisë e ka të sanksionuar në Kushtetutë të drejtën për të dhënë dekorime”.

Reagimi i Presidentit Meta:

NË VEND TË NJË REPLIKE ME AGRON GJEKMARKAJ
Nisur nga disa opinione në media rreth dekreteve të dekorimeve nga ana e Presidentit të Republikës, ndër të cilat edhe ato të shprehura së fundmi nga analisti Agron Gjekmarkaj, më duhet pa ekuivoke të shpreh, se ky gjest përpara se juridik dhe politik, është detyrimi ynë moral, si dhe i çdo gjenerate shqiptare, ndaj historisë dhe së ardhmes të kombit tonë.
Presidenti i Republikës, si asnjë institucion tjetër në Republikën e Shqipërisë e ka të sanksionuar në Kushtetutë të drejtën për të dhënë dekorime:
Neni 92.
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
Këtë të drejtë dhe kompetencë asnjëherë nuk e kam konceptuar, si një gjest personal, por si produkt të analizave të thella dhe konsultimeve të vazhdueshme me akademikë, studiues, historianë, autoritete shtetërore, personalitete shoqërore, pedagogë të universiteteve të vendit, drejtues të pushtetit vendor dhe shoqata të ndryshme.
Në të gjitha rastet, më shumë se për emrat, kam synuar të evidentoj aktet, kontributin ndaj kombit dhe ngjarjet më të shënuara, të cilat kanë mishëruar pikat më të shndritshme të historisë sonë për liri e pavarësi.
Figurat e Heronjve, Dëshmorëve apo Atdhetarëve të dekoruar, përherë kanë qenë të lidhura me interesin mbarëkombëtar dhe janë jashtë këndvështrimit politik aktual apo të kohës në të cilën janë kryer këto akte.
Jam kujdesur që aktet dhe emrat e atdhetarëve të shquar të dekoruar, të reflektojnë më shumë se kushdo tjetër reagimin dhe tendencën e përgjithshme të popullit shqiptar drejt lirisë, pavarësisë dhe prosperitetit.
Për Presidentin e Republikës nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është shprehja më e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë që duhet të mbartë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike!
Vlerësimi i gjakut të derdhur për Shqipërinë është borxhi, që kemi të gjithë ne që gëzojmë lirinë ndaj sakrificës së tyre sublime.
Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë identitetit kombëtar, integritetit si shqiptarë dhe dinjitetit tonë njerëzor.
Rivlerësimi i Heronjve dhe Atdhetarëve në këndvështrimin europian të një shoqërie demokratike i lartëson dhe përjetëson aktet e tyre në realitetet e reja aktuale dhe të perspektivës së kombit.
Ai është një refleks i përmbajtjes dinamike të vetë historisë së një kombi.
Si President i Republikës, jam kujdesur të jem gjithmonë mbi dallimet politike dhe ngjyrimet individuale të çdo atdhetari dhe vlerësoj kontributin e tyre ndaj Kombit dhe popullit.
Për të sjellë një panoramë të përgjithshme, si shembull kuptimplotë, po sjell ecurinë e vlerësimeve të një aktiviteti.
Në ciklin e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, si President kam vlerësuar me të njëjtin përkushtim e nderim edhe Kryengritjen e Dibrës, edhe Luftën e Koplikut, duke i shtuar madhështisë së betejave të vitit 1920 gjeografinë e vërtetë.
Grupi studiuesve që punuan për këto epope lufte vendosi para Presidentit, komandantët e vërtetë të çetave patriotike pa kryer asnjë dallim në lidhje me qëndrimin politik të gjithë secilit.
Presidenti në çdo rast dekoron aktin, qasjen dhe kontributin e çdo individi për një ngjarje të caktuar që i ka shërbyer atdheut, dhe jo për vijimësinë e jetës së tyre politike
Kështu në piedestal u ngritën atdhetarët si Osman Haxhiu e Selam Musai, por edhe Kolë Mërkuri e Qazim Koculi të paragjykuar nga historianografët e monizmit, duke vendosur në siklet breza të tërë pasardhësish.
Betejat e vitit 1920 vlerësuan edhe atdhetarin Elez Isufi, prijësin legjendar të dibraneve dhe shqiptarëve që luftoi kundër të gjithë pushtuesve të vendit që njohu gjatë gjithë jetës së tij!
Askush nuk mund të thotë se bacë Elezi ishte i majtë apo i djathtë, sepse mbi të gjitha ai ishte shqiptar i madh.
Emri i atdhetarit Avni Rustemi është komentuar shumë nga të gjithë pikë vështrimet politike të ditës.
Për mua, Presidenti i Republikës, Avni Rustemi ngelet Heroi i Popullit, ic cili i tha “JO” esadizmit, pazareve të ulta në kurriz të atdheut.
Avni Rustemi është simboli i sakrificës më sublime për ruajtjen e integritetit tokësor dhe bashkimin e vlerave kombëtare.
Dekorimi i tij ishte edhe një përmbushje e amanetit të At Gjergj Fishtës, kur në funeralin e Avni Rustemit do të shprehej:
“ O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.
O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
“Ka me pasë Shqipni ! Do të bahet Shqipnia ! Po të mos kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejës e deri në kulm të Kepit të Stilos për me derdh lot mbi varrin e tij. Ja amaneti i Tij për djemtë e Shqipërisë…”
Në këtë 100-vjetor të Luftës së Vlorës, si President i Republikës, do të kisha kryer të njëjtin nderim edhe për kontributin e Mbretit Ahmet Zogu, i cili në moshë shumë të re manifestoi si rrallë ndonjë tjetër shembuj të lartë heroizmi, vendosmërie, mençurie dhe përkushtimi për Atdheun, sidomos gjatë vitit 1920.
Por për të gjitha meritat e tij, Mbreti Zog është dekoruar nga paraardhësi im, Presidenti Bujar Nishani me titullin më të lartë “Urdhri i Flamurit kombëtar ” qysh 16 nëntor 2012.
Askush nuk mund të thotë se luftëtarët e Koplikut Kapedan Deli Meta Cunmulaj, heronjtë Zef Prelë Martini, Sulejman Bajram Ramcaj apo Luc Nishi Dedvukaj ishin të majtë.
Vojo Kushi po. Ai ishte antifashist në bindje, por ai kreu të njëjtin akt trimërie e vetmohemi për lirinë e Atdheut si Heronjtë e tjerë të kombit, Selam Musai e Mic Sokoli.
Figura dhe simboli i këtij Heroi të Popullit do t’i bënte nder çdo kombi antifashist në mbarë botën.
“ Unë e dua vendin tim edhe pse unë mendoj ndryshe nga ju”, kjo thënie lapidare e Musine Kokalarit në rrethana të kundërta me Vojon nuk duhet të na lejojë të përsëritim të njëjtin gabim si në logjikën e dikaturës…
Dekorimi i Vojo Kushit nuk erdhi thjesht për t’ju kujtuar shqiptarëve apo pushtetarëve se këtij vendi nuk i mungojnë bijtë heronj.
Ai ishte rrjedhojë e një rrethane të re në historinë reale të rivlerësimit të Epopesë së Kodrës së Kuqe, evidentimit të heroit të katërt të kësaj beteje atdhetarit, Muharrem Llanaj. Gjest që kërkonte edhe një rivlerësim të tre Heronjve që u flijuan atë ditë tetori në shtëpinë kështjellë të Ije Farkës.
Në fund, por jo për nga rëndësia, do të ndalesha me dy fjalë për gjestin e të riut Vasil Laçi.
Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore do hynte si shembull unik i kundërshtimit të fashizmit edhe me aktin e tij tepër sinjifikativ.
Rivlerësimi i të riut Vasil Laçi, i mënjanuar me pa të drejtë në këto tre dekada është në rradhë të parë një vlerësim për moralin tonë si komb.
Presidenti i Republikës vlerëson faktin se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë heronjve dhe dëshmorëve të Atdheut është të mbajmë lart aspiratën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, ta bëjmë vendin tonë një vend të dashur për të jetuar, t’i sigurojmë të ardhme europiane bijve tanë, të mos lejojmë të shtypemi nga padrejtësia shoqërore, apo të vuajmë nga varfëria e pamerituar, dhuna shtetërore dhe nga papërgjegjësia e individëve që abuzojnë me pushtetin.
Betejat e sotme janë për standarde zgjedhjesh të lira, për liri mendimi e shprehje dhe për një ekonomi konkurruese që i siguron stabilitetin dhe mirëqenien e ndershme shoqërisë.
Çdo kohë ka nevojë për shembuj qëndrese dhe frymëzimi në përballjen me sfidat e kohës.
Vlerësimet e Presidentit të Republikës, do të udhëhiqen vetëm nga qëllimi për të forcuar ndjenjat kombëtare, atdhedashurinë dhe edukimin patriotik të gjeneratave të reja. 🇦🇱

Marrë nga BalkanWeb

Artikulli paraprakSHKODËR, MES LOTËSH LAMTUMIRA E VILDAN TUFIT!
Artikulli tjetër“KU ËSHTË”?! KRYEMADHI KËRKON GREVISTEN QË E SHANTE DHE I DREJTOHET RAMËS: E DI SA TË DJEGIN TË VËRTETAT, BËJI NDER FAMILJES TËNDE DHE LARGOJI DUART NGA…