Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar komunikimin e tij të radhës me simpatizantët nga dritarja e banesës së tij, ku ai ndodhet në arrest shtëpiak prej 30 dhjetorit. Berisha ka paralajmëruar se së shpejti në kryeqytet do të rikthehen marshimet e dikurshme që vranë frikën te qytetarët gjatë ndërrimit të sistemeve. Sipas tij terrori dhe frika janë faktorët që kanë detyruar shqiptarët të heshtin dhe të pajtohen me atë që ai e cilësoi si “të keqen më të madhe”, pushtetin e kryeministrit Edi Rama.

“Nuk ka shqiptar sot që pranon me vullnet, me dëshirë, një qeveri që grabit votën e qytetarëve, një qeveri, e cila ndërsen bandat për të terrorizuar qytetarët.
Një qeveri, e cila vjedh qytetarët nga mëngjesi gjer në darkë.
Nuk ka shqiptar, që i thotë vetes shqiptar, që do një qeveri që boshatis në mënyrën më të pamëshirë Shqipërinë.
Por ka shqiptarë që kanë frikë të ngrenë zërin kundër kësaj qeverie.
Ka shqiptarë që kanë frikë të mos i binden bandave që ajo ndërsen kundër tyre.
Ka shqiptarë, të cilët ulin kokën, pavarësisht se varfërohen çdo muaj, çdo vit e më shumë.
Ka shqiptarë, të cilët ndonëse vendi i tyre tretet para syve të tyre, përsëri nga frika heshtin.
Por ju jeni shembulli i tyre, ju jeni frymëzimi i tyre, ju jeni shumica e vërtetë e kombit.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje qytetarëve të frymëzuar nga ju, nga kjo betejë, të bashkohen dhe të ecim të sigurt drejt fitores.
Miqtë e mi.
Terrori dhe frika kanë detyruar dhe detyrojnë qindra e mijëra qytetarë të këtij vendi të heshtin, të pajtohen me të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë pas diktaturës së Enver Hoxhës.
Por kjo nuk do të thotë se ata e duan, se ata e pëlqejnë.
Përkundrazi, ata njëlloj si ju, urrejnë Edi Ramën, urrejnë regjimin e tij, urrejnë narkoshtetin dhe duan një Shqipëri normale.
Nuk është e largët dita kur unë, së bashku me disa prej jush këtu, ose që nuk janë të pranishëm, protestonim në marshim rrugëve të Tiranës me një qëllim të vetëm, të vrisnim frikën te qytetarët.
Dhe kjo së shpejti do të ndodhë përsëri. Se ju jeni të pamposhtur, sepse ju po mbroni një kauzë të drejtë, se ju po u prini shqiptarëve në një betejë pa kthim kundër diktaturës moniste të krimit, drogës dhe vjedhjeve të shqiptarëve”, tha Berisha.

Artikulli paraprakRESHJET E DËBORËS “PUSHTOJNË” VENDIN, MINISTRI BALLA: AUTORITETET NË KRYE TË DETYRËS
Artikulli tjetërRESHJET DHE STUHITË E BORËS ‘PARALIZUAN’ VENDIN! EMERGJENCAT CIVILE PËRDITËSOJNË SITUATËN