Më 1 Gusht popullsia botërore do të ketë konsumuar të gjitha burimet natyrore nga planeti. Pra fruta, zarzavate, mish, peshk, ujë dhe dru që ishin të disponueshëm për gjithë vitin 2018 janë konsumuar në pothuajse vetëm gjysmën e parë të vitit.
Që këtej njerëzimi nis mbishfrytëzimin e Tokës. Përllogaritja bëhet çdo vit nga Global Footprint Network, që është një organizatë për kërkimet ndërkombëtare,
sipas së cilës për të përmbushur kërkesat e konsumit botëror me burime natyrore do duhej pothuajse edhe një tokë tjetër.
Duke nisur nga vitet 70 të shekullit të kaluar njeriu nisi të konsumojë më tepër sesa sistemet natyrale janë në gjendje të rigjenerojnë dhe të çlirojë më tepër dioksid karboni sesa oqeanet dhe pyjet janë në gjendje të përthithin, asimilojnë dhe pastrojnë.
Por sigurisht jo të gjithë njerëzit konsumojnë në të njëjtën mënyrë të mirat që na jep planeti.
Nëse i gjithë njerëzimi do të kishte të njëjtin stil jetese me amerikanët, atëherë për të kënaqur nevojat do të duheshin 5 Toka, për australianët do të duheshin 4.1, koreanojugorët 3.5, rusët 3.3 dhe për gjermanët do të duheshin 3 planetë.
Ndërsa India është vendi që konsumon më pak burimet e planetit.