Policia e Pogradecit ka shpërndarë sot pasdite një komunikatë për mediat.
Sipas saj, ka nisur proçedimi penal në gjendje të lirë ndaj kreut të Bashkisë Pogradec, Eduard Kapri. Sipas bluve, proçedimi ndaj 46-vjeçarit Kapri filloi pasi “sot në Komisariatin e Policisë Pogradec, ka bërë kallëzim shtetasi F.B, 36 vjeç, banues në Tiranë, (me detyrë përmbarues gjyqësor)” Policia thotë se “shtetasi F.B, deklaron se sot më datë 29.02.2016, ka shkuar për të zbatuar, ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, në Ndërrmarjen e Ujësjellës Kanalizimeve Pogradec, por aty është penguar për ekzekutimin e këtij vendimi, nga Kryetari i Bashkisë Pogradec, shtetasi Eduart Kapri, si dhe pretendon se është goditur për shkak të detyrës, nga ky i fundit”. Nga ana e Policisë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes . Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale : “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” si edhe “Goditjet për shkak të detyrës” .
/ Star Plus TV /