Miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara po përgatiten të marrin dozën përforcuese të vaksinës COVID-19 mes polemikave të vazhdueshme mbi udhëzimet për vaksinimin e detyruar.

Ndërsa 77 përqind e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19, zyrtarët shëndetësorë po diskutojnë për atë që duhet bërë më pas. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë miratuar doza përforcuese për të tre vaksinat – Johnson & Johnson, Moderna dhe Pfizer.

Për dozën përforcuese, CDC-ja thotë se njerëzit mund të zgjedhin një vaksinë ndryshe nga ajo që kanë marrë më parë.

“Kjo lejon një shkallë të konsiderueshme fleksibiliteti për njerëzit që të marrin atë që shpresojmë, një dozë që do të rrisë dhe do ta bëjë më të fortë mbrojtjen e tyre”, tha Dr. Anthony Fauci, këshilltar mjekësor i Shtëpisë së Bardhë.

Këtë javë, zyrtarët shëndetësorë do të takohen për të diskutuar raportin e kompanisë Pfizer se vaksina e saj është e sigurt dhe e efektshme për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, duke krijuar mundësinë që vaksinimet të fillojnë në nëntor.

Lajmet për dozat përforcuese dhe vaksinimin e mundshëm të fëmijëve vijnë ndërsa pak më shumë se 22 përqind e të rriturve në SHBA ende nuk kanë marrë një dozë të vetme. Punëdhënësit që kërkojnë vaksinim të detyruar vazhdojnë të shtohen. American Airlines thotë se punonjësit e saj duhet të paraqesin prova të vaksinimit deri në fund të nëntorit ose do të përballen me pushim nga puna.

Nju Jorku po u ofron punonjësve të qytetit që nuk janë vaksinuar 500 dollarë për dozën e tyre të parë, por edhe masa ndëshkuese për ata që refuzojnë.

“Nëse nuk vaksinoheni, siç e pamë në kujdesin shëndetësor dhe arsim, letra e dërguar më 1 nëntor iu paralajmëron se do të detyroheni të merrni leje pa pagesë. Ne nuk e duam këtë për askënd. Ne duam që njerëzit të vaksinohen”, tha kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio.

Sindikata e policisë së Nju Jorkut tha se vendimi për t’u vaksinuar ishte një vendim mjekësor personal dhe se do të kërkonte veprime ligjore për të mbrojtur të drejtat e anëtarëve të saj.

Udhëzimet për vaksinat e detyrueshme mbeten të debatueshme me 58% të amerikanëve që thonë në një sondazh të fundit se ato po ndihmojnë në betejën kundër COVID-19. 24% mendojnë të kundërtën. Kjo ndarje është e ngjashme kur të anketuarit u pyetën nëse kërkesat për vaksinime po ndihmojnë ekonominë, me 51% që thonë po dhe 35% që thonë se ato po e dëmtojnë.

Mënyra se si Shtetet e Bashkuara do ta trajtojnë pandeminë muajt e ardhshëm ka të ngjarë të ketë një pasojë politike. Përveç pandemisë, amerikanët janë të shqetësuar për ekonominë, inflacionin dhe çështjet e zinxhirit të furnizimit. Javët e fundit, vlerësimi për punën që ka bërë Presidenti Joe Biden ka rënë, në 43%.

Artikulli paraprakVAJZA AFGANE SHITET PËR 500 DOLLARË, PRINDËRIT: PO VUAJMË NGA URIA
Artikulli tjetër(VIDEO) NJIHUNI ME GJARPRIN QË ËSHTË AQ I MADH SA U DESH NJË EKSKAVATOR PËR TA LËVIZUR