Sherbimet e Policise me pjesëmarrjen e dhjetëra efektivëve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë, Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, Delta Forcën dhe me Drejtorinë e Përgjithshme Detare në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë kane zhvilluar operacionin policor te koduar “Lundrim i sigurtë”, për të ushtruar kontrolle në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës në vendin ku ankorohen mjetet lundruese në liqenin e Komanit. Në nisje të këtij operacioni, në vendin ku ankorohen mjetet lundruese në liqenin e Komanit u konstatuan 13 varka artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës. Në vijim, në hyrje të liqenit të Komanit, u konstatua një traget me mbishkrimin “Rozafa”, për të cilin specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar kanë referuar materialet në Prokurori, pasi u konstatua për herë të dytë, në cenim të plotë të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe 5 mjete lundruese skafë, drejtuesit e të cilëve kishin autorizim për përdorim personal, por jo për të ushtruar veprimtari ekonomike si operator turistik. Nga kontrollet u konstatuan edhe 25 varka artizanale të bregëzuara në pjesë të ndryshme të liqenit të Komanit. Shërbimet e Policisë vijojnë verifikimet për të identifikuar pronarët e këtyre mjeteve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme për bllokimin e mjeteve lundruese që nuk përmbushin kushtet e sigurisë, për transportimin ditor, për qëllime turistike, të turistëve dhe vizitorëve.
Plani operacional policor i koduar “Lundrim i sigurtë” përfshin kontrolle të imtësishme ndaj të gjitha mjeteve lundruese në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, për të verifikuar pajisjen me dokumentacionin që kërkon ligji për të lundruar, përmbushjen e kritereve për sigurinë e pasagjerëve, pajisjen me autorizim për të ushtruar aktivitet ekonomik, si dhe teknikalitete të tjera të kësaj fushe. Rreth 2 javë më parë, si rezultat i kontrolleve në liqenin e Komanit, Policia e Shkodrës bllokoi 1 traget dhe 10 varka artizanale. Drejtuesi i tragetit u procedua penalisht, ndërkaq drejtuesit e varkave u ndëshkuan me masë administrative 10 000 të rinj, secili. Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare apelojnë për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit me varka artizanale dhe me mjete të tjera lundruese, që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve.

Artikulli paraprakTAULANT BALLA MERR NESËR DETYRËN E MINISTRIT TË BRENDSHËM
Artikulli tjetërMBLEDHJA E KËSHILLIT TË MANDATEVE NIS ME DEBAT, BARDHI-NIKOLLËS: BOLL E ZVARRITËT ÇËSHTJEN