Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar të saj bën të ditur se është arrestuar në Dubai shtetasi Denis Brajoviç i dyshuar për vrasje. Në njoftimin e saj policia thotë se “Informacioni i siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbyer në kohë reale me partnerët në Emiratet e Bashkuara, mundëson lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, në kuadër megaoperacionit ‘Metamorfoza’ duke u finalizuar nga Policia në Emiratet e Bashkuara, operacioni policor i koduar ‘Rishtas’. Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vrasje, fshihej në Emiratet e Bashkuara.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar ‘Rishtas’, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Denis Brajoviç, 36 vjeç, lindur në Shkodër. Ky shtetas është i dyshuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Metamorfoza’, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi, kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër. Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, bën të ditur njoftimi zyrtar i policisë së shtetit.

Artikulli paraprakMALËSI E MADHE, MUNGESA E MJEKËVE
Artikulli tjetërHAPET EKSPOZITA ME FOTO “UDHËTIM NË JAPONI”