“Kryeneçja” është operacioni i finalizuar me sukses nga policia e Shkodrës ku ra në pranga Liza Bela Chiaravalle, 67 vjeçarja që është arrestuar për të disatën herë për shfrytëzim prostitucioni.

Bashkë me të u arrestuar edhe shtetasi Halil Bajraktari, 56 vjeç banues në Shkodër i dyshuar se ka kryer veprën penale ‘favorizim i prostitucionit’ ndërsa u procedua penalisht në gjendje të lirë 41 vjeçarja F.M e dyshuar se ka kryer veprën penale “ushtrim i prostitucionit”. Arrestimet e dy shtetasva Liza Bela dhe Halil Bajraktari kanë ardhur pas një hetimi proaktiv disa mujor i policisë vendore në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Shkodër duke finalizuar kështu operacionin “Kryeneçja” dhe duke shkatërruar këtë grup që shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt pagesave të ndryshme. Shtetasja Liza Bela në policinë e Shkodrës rezulton si banore e lagjes “Mark Lula”.

Në fakt banesën e saj, sipas burimeve në një bllok pallatesh e kishte marrë me qera me idenë për ta përdorur si vend për shfrytëzimin e prostitucionit. Aty dyshohet se ka dërguar femrat që rekrutonte dhe klientë të ndryshëm përkundrejt pagesave me para. Në fakt banesa e shtetases Liza Bela është në lagjen Rus në qytetin e Shkodrës. Burime pranë policisë bëjnë me dije se në disa raste 67 vjeçarja që u prangos ka marrë shtëpi me qera në lagje të ndryshme të Shkodrës duke i përdorur më pas për shfrytëzim prostitucioni. “Star Plus” pak kohë më parë transmetoi një kronikë ku një tjetër prostitutë rrëfeu historinë e saj duke treguar se si ushtron këtë profesion në mes të ditës në vende të ndryshme në qytetin e Shkodrës. Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh çka tregon se prostituimi është kthyer në një fenomen shqetësues në Shkodër.

Artikulli paraprakZOGAJ, ZONA TURISTIKE MË NJË RRUGË TEJET TË NGUSHTË
Artikulli tjetërNË ARKË ME “TË PANJOHURIN” PRIMO SHLLAKU