Vllaznia u mposht 0-4 në “Loro Boriçi”, duke i dhënë fund në këtë mënyrë aventurës europiane në Conference League. Ndërkohë që, gjatë dhe pas kësaj sfide, shumë tifozë ultras të Vllaznisë janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Shkodrës. Në fakt, nuk dihet ekzaktësisht nëse ka pasur përleshje apo shkak janë bërë flakadanët e hedhur në fushë, por grupimi “Vllaznit Ultras” ka dalë me një reagim zyrtar, duke thënë që tifozët po mbahen padrejtësisht në Komisariat. Ja reagimi i tyre:
“Reagim. Gjatë ndeshjes është bërë shoqërimi i padrejtë me dhunë dhe në mënyrë barbare i disa nga anëtarëve tonë. Kërkohet menjëherë lirimi i djemve që mbahen padrejtësisht në ambientet e Komisariatit. Futbolli është për tifozët. Liri për Ultrasit”,-shkruajnë “Vllaznit Ultras”.
Në fakt, ky grupim tifozërie në të 87-tën minutë hodhën flakadanë në fushën e lojës. Loja u ndërpre nga arbitri italian Simone Soza, pasi duhej pastruar fusha dhe tifozët u paralajmëruan se duhet të qetësoheshin. Padyshim që, Vllaznia do të përballet me një gjobë të majme nga UEFA, për shkak të hedhjes së mjeteve pirroteknike në fushë, që janë të palejueshme. Në fakt, nisur edhe nga trazirat që ndodhën para një jave në Islandë, ndeshja e kthimit mes Vllaznisë dhe Valurit u vlerësua shumë nga UEFA, e cila kishte sjellë në Shkodër tre oficerë sigurie, teksa me përjashtim të hedhjes së flakadanëve në fushë në fund të ndeshjes, gjithçka u mbyll brenda rregullave.
https://youtu.be/hJ6AscBSLMs