Policia e Shtetit në 72 orët e fundit ka asgjesuar në total 24 220 bimë narkotike cannabis sativa në zonat e veriut. Sipas policisë vijon operacioni antikanabis i koduar “Fokusi”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Kontrollet gjatë 72 orëve të fundit janë zhvilluar në qarkun Shkodër, në malësinë e Krujës, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella. Në këtë peracion janë angazhuar 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike. Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të operacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi me inicialet P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë të Fushë Arrëzit. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale. Po gjatë kontrolleve, në territorin e fshatit Arst, Pukë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve. U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi me inicialet N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin me inicialet K. B, i dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”. Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin. Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të moperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme. Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e kësaj veprimtarie kriminale. Policia e Shtetit bën të ditur se do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.

Artikulli paraprakSAMITI NË ATHINË, BERISHA: MITSOTAKIS NUK E FTOI ME TË DREJTË RAMËN, SHKELI TË DREJTAT KUSHTETUESE
Artikulli tjetërZBARDHET PLAGOSJA NË GJADËR TË LEZHËS