Policia e Shtetit, gjatë muajit qershor ka finalizuar 93 operacione policore.

Nga këto 25 operacione kanë qenë në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Territor i pastër”; 15 në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Tempulli”; 46 në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”; 7 në kuadër të planeve operacionale “Plazh i lirë” dhe “Coastline”.

Gjatë këtyre operacioneve, si rezultat i kontrollit të territorit në të gjithë vendin, janë gjetur dhe assgjësuar rreth 88 000 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, 2500 fara cannabisi dhe pajisje të ndryshme që i shërbejnë kultivimit të bimëve narkotike.

Gjithashtu janë sekuestruar 1.3 kilogramë kokainë, qindra doza kokaine, heroine, cannabisi, ketaminë, ekstazi, GHB, Poppers, si dhe mjete (peshore elektronike dhe grirëse) që shërbejnë për përpunimin e lëndëve narkotike dhe ndarjen e tyre në doza.

Po ashtu, janë sekuestruar 18 armë zjarri, 6 armë gjahu dhe sportive, 6 granata, 10 kapsolla detonatore, 1 predhë, 1 palë dylbi, 5 radio dhe 2 fenelina si të Policisë, si dhe sasi municioni luftarak.

Gjatë operacioneve të zhvilluara për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, janë sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 52 milionë euro që dyshohet se kanë burim kriminal, 2 automjete të vjedhura dhe pjesë automjetesh të kontrabanduara, pajisje dentare me vlerë rreth 50 000 euro dhe mallra të tjera të dyshuara të kontrabanduara.

5 operacione goditën veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa 3 operacione goditën veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit.

Puna hetimore profesionale e strukturave të DVP Vlorë zbardhi një vrasje me armë zjarri të kryer në një hotel në Dhërmi, identifikoi autorin dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, të cilët u vunë në pranga.

Gjithashtu, veprimet hetimore të Policisë zbardhën 2 plagosje dhe 30 raste të vjedhjeve në banesa apo biznese.

Nga kontrollet në terren dhe në bazë të denoncimeve të qytetarëve, janë konstatuar dhe goditur 135 raste të krimeve kundër mjedisit. Hetimet e kryera për rastet e zjarrvënieve në pyje apo kullota, çuan në pranga 4 autorë të dyshuar dhe në hetim 10 të tjerë.

Janë evidentuar dhe trajtuar ligjërisht 115 raste të dhunës në familje, të cilat më pas janë adresuar për t’u trajtuar nga institucionet e tjera kompetente.

Për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt, strukturat e Policisë së Shtetit janë të gjitha në gatishmëri, në të gjithë vendin.

Në 21 raste, shërbimet e Policisë iu kanë shkuar në ndihmë turistëve dhe vizitorëve që kishin mbetur të bllokuar në det, për shkak të defekteve në mjetet lundruese, ose në zona të tjera turistike të vendit, për shkak të terreneve të vështira malore.

Në 15 raste, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për të ulur muzikën e lartë që shqetësonte banorët/turistët në zonat bregdetare.

Në zbatim të planit operacional “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave publike në plazhe, janë hequr dhe sekuestruar më shumë se 400 çadra dhe shezlongë që ishin vendosur në mënyrë të paligjshme.

Në zbatim planit operacional “Coastline”, për lirimin e hapësirave nga ndërtimet pa leje, brenda vijës bregdetare, janë evidentuar 27 raste të ndërtimeve pa leje dhe janë shembur 2 objekte të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

Policia Rrugore intensifikoi kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset e vendit, duke përdorur makinat inteligjente dhe bazën logjistike që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, gjatë sezonit turistik.

Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera, janë vënë në pranga 143 drejtues mjetesh, nga të cilët 104 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 39 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 374 leje drejtimi, nga të cilat 171 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 65 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 138 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

Ndërkaq, Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Si rezultat i punës dhe angazhimit në përmbushje të prioriteteve, janë goditur: 44 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 12 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin, 4 tentativa për të futur/nxjerrë në pikat e kalimit kufitar, mallra të kontrabanduara dhe 2 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Gjithashtu, janë goditur 10 raste të mosdeklarimit të të hollave dhe janë sekuestruar rreth 36 000 euro dhe 147 000 paunde, që nuk janë deklaruar në pikat e kalimit kufitar, sipas ligjit.

Në kuadër të masave për sigurinë detare, Njësia e Policisë Detare dhe Policia Kufitare kanë nisur kontrollet për dokumentacionin e mjeteve lundruese, për respektimin e rregullave të lundrimit dhe të perimetrit të sigurisë për pushuesit. Si rezultat i kontrolleve, janë bllokuar 61 mjete të ndryshme lundruese dhe pronarët/drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masa administrative 10 000 – 100 000 lekë.

Artikulli paraprakTEMPERATURA DERI NË 32 GRADË CELSIUS, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërPËRPLASJE E FORTË NË KUVEND/ “ZËDHËNËS I KRIMIT TË ORGANIZUAR”, BARDHI- BRAÇES: VRAVE NJË NJERI NË DYERT E SPAK. QEVERIA JOTE…