Në kuadër të Konferencës së 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën, që po zhvillon punimet në Tiranë, Policia e Shtetit dhe Sekretariati i Përgjithshëm i INTERPOL-it firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për përfshirjen e Shqipërisë në Rrjetin e Akademisë Globale të INTERPOL-it. Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock. Rrumbullaku falënderoi INTERPOL-in për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve dhe theksoi se, bashkimi i Shqipërisë me Rrjetin e Akademisë Globale është një hap i rëndësishëm përpara për sistemin e arsimimit policor dhe vetë Policinë e Shtetit.

“Jemi të kënaqur, që në rrugëtimin e gjatë e të vështirë për të forcuar kapacitetet e Akademisë sonë të Sigurisë, do të kemi edhe angazhimin e Drejtorisë së Trajnimeve për Ngritjen e Kapaciteteve të INTERPOL, e cila ka krijuar Akademinë Globale. Synimet e saj për një qasje globale të trajnimit për zbatimin e ligjit do të jenë një ndihmë e madhe edhe për Shqipërinë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai shtoi se, sot INTERPOL-i është një lider global në ndërtimin e trajnimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe është me shumë vlerë që Policia e Shtetit Shqiptar i bashkohet edhe këtij komponenti të rëndësishëm.

Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it falënderoi Policinë e Shtetit për mikpritjen dhe organizimin e Konferencës Rajonale në Tiranë. Z. Jurgen Stock shprehu gatishmërinë e INTERPOL-it për shkëmbimin e përvojave policore me Shqipërinë.

Artikulli paraprak33-VJETORI I THEMELIMIT TË PS, SPIROPALI MESAZH URIMI
Artikulli tjetërOBJEKTET E KONFISKUARA, QEVERIA PËRCAKTON RREGULLAT DHE KRITERET E FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT