Policia : Greqia ka kthyer mbi 1.000 shqiptarë pa dokumente qëndrimi

Gjatë muajit të kaluar autoritetet greke kanë kthyer në atdhe më shumë se 1000 shtetas shqiptarë që ndodheshin në Greqi pa dokumenta të rregullta qëndrimi. Në njoftimin e policisë greke thuhet se numri i shqiptarëve të kthyer gjatë muajit shtator është saktësisht 1.088. Pastaj vijojnë shtetasit nga Pakistani (185), nga Iraku (90) e me radhë, nga Algjeria, Maroku dhe Irani. Vetëm për shqiptarët arsyeja e largimit është mungesa e dokumenteve të rregullta, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera kanë marrë përgjigje negative ndaj kërkesës për azil. Në radhët e shtetasve shqiptarë ka dhe nga ata që nuk kanë mundur të rinovojnë sërish lejen e qëndrimit. Policia thotë se ndaj këtyre personave janë marrë vendime largimi dhe deportimi. Kthimi i emigrantëve në vendet e tyre, është një praktikë e filluar para dy vjetësh, që financohet nga Zyra Ndërkombëtare e Migracionit (IOM). IOM mbështet ata emigrantë që kthehen vullnetarisht, në bazë të një programi që synon riintegrimin e tyre në atdhe. Gjatë këtyre dy viteve kja qenë i pakët numri i shtetasve shqiptarë që kanë përfituar nga ky program. Në zyrën e IOM për Greqinë thonë se ka patur disa raste njerëzish në nevojë, si një fëmijë, një grua e keqtrajtuar, një invalid, një i sëmurë, një i moshuar, që kanë pasur nevojë për ndihmë. Por theksojnë se, që të përfshihet dikush në këtë program, duhet më së pari të mos ketë dokumente të rregullta qëndrimi. Sipas njoftimit të policisë greke, gjatë shtatorit u larguan 1.598 persona. Ndërsa që nga fillimi i vitit janë rikthyer në vendet e origjinës 13.980 persona dhe 80% e tyre vlerësohet se kanë qenë shqiptarë.

Artikulli paraprakARRESTOHET 36 VJEÇARI SHQIPTAR ME 133 KG DROGË NË AUTOMJET
Artikulli tjetërKËRKOHET ARREST SHTËPIE PËR SHQIPTARIN E DËNUAR ME 20 VJET BURG PËR VRASJE