Nuk ka qetësi te Barcelona. Klubi katalunjas është tronditur sërish paraditen e së hënës, kur ish-presidenti Josep Maria Bartomeu është arrestuar në vazhdën e hetimeve të skandalit që tashmë njihet me emrin “Barca Gate”.
Gjithçka u zbulua një vit më parë nga mediat spanjolle, që me fakte treguan se në listpagesat e klubit “blaugrana” ishte edhe një kompani e specializuar në rrjetet sociale.
Ajo paguhej nga klubi për të diskretituar në rrjet lojtarët e rëndësishëm të skuadrës si Messi, Xavi apo Pique, që ishin kundër linjës së drejtuesëve.
Hetimet nisën menjëherë, ndërsa kur ka kaluar thuajse një vit, policia spanjolle zhvilloi mëngjesin e së hënës kontrolle në selinë e klubit të Barcelonës, ndërsa më pas në pranga është vënë ish-presidenti Bartomeu.
Hetimi është drejt fundit, pasi policia ka sekuestruar prova të rëndësishme dhe sipas mediave spanjolle pritet të ketë të tjera arrestime.