Policia i heq patentën deputetit të LSI-së, hyri në kundravajtje
Deputetit të lëvizjes Socialiste për Integrim Ylli Shehut i është hequr patenta për 6 muaj. Policia Rrugore e Tiranës i ka pezulluar patentën pasi deputeti kishte hyrë në kundravajtje. Ylli Shehu kishte ngatërruar rrugën në një kryqëzim dhe kur e ka kuptuar ka kthyer makinën në mes të rrugës. Pikërisht në këtë moment një patrullë e Policisë e ka ndaluar duke marrë masën heqje patente për 6 muaj. Deputeti është justifikuar para oficerëve të policisë se kishte ngatërruar rrugën, por nuk ka mundur ti shpëtojë gjobës. Burime të Report Tv bëjnë me dije se deputetit i është hequr patenta 3 ditë më parë, ndërkohë që ai e ka kundërshtuar masën që është marrë nga Policia. Ylli Shehu është zgjedhur deputet nga listat e Partisë Republikanë por më pas ka kaluar në grupin Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputeti Ylli Shehu njihet edhe si këngëtar, pasi vite më parë ka kënduar nëpër dasma.