Kreu i PD Sali Berisha e konsideron nul njoftimin që policia e shtetit i ka bërë dje që nuk e lejon organizimin e protestës më 6 dhjetor në Bulevardin e Tiranës sepse cenohet siguria kombëtare. Berisha tha se atë ditë do ta mbushë Bulevardin si kurrë më parë.
“Policia e Shtetit njoftoi mbrëmë se nuk njeh Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Lidhur me këtë njoftim, i rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Por krahas kësaj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë. Së treti, policia e shtetit e Edi Ramës, po e trajton samitin e liderëve të BE, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë.
Komisioni Europian, për të qartësuar pozicionin evropian, kërkoi që e drejta për protestë të respektohet. Prandaj ai refuzimë shtë i paqenë. Ai tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që do të mbushë sheshin më datën 6 në orën 12. Në këtë datë do vërshojnë të gjithë ata që ëndrrën evropiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e tyre. Në datën 6 do të vërshojnë të gjithë ata që shohin vlerat evropiane si më të çmuarat.
Do jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë. Do jetë një protestë ku do buçasë në çdo anë thirrja, E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Thirrja: Edi Rama dhe narkoshteti nuk përfaqësojnë Shqipërinë, Edi Rama dhunues kryesor i votës së lirë në Europë pas Lukashenkos, Edi Rama, një vasal i verbër i Vuçiçit dhe avokat mjeran i Rusisë së Vogël dhe Putinit. Kemi kaq motive për të qenë në shesh duke garantuar sigurinë e plotë të miqve tanë, të cilët i përshëndesim dhe e konsiderojmë nderim të madh për kombin shqiptar. Por Edi Rama nuk përfaqëson votën e lirë, ai përfaqëson narkoshtetin dhe gjithçka që e shndërroi këtë popull në popullin e gomoneve. Kështu që ne duhet të jemi aty, të gjithë së bashku, dhe do jemi”, tha Berisha
Policia e njoftoi dje PD-në se Sali Berisha mund të zhvillojë protestën më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë organizohet samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, por jo në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para Kryeministrisë ashtu siç ka kërkuar. Kjo pasi kërcënohet siguria kombëtare dhe ajo publike.
Sipas dokumentit të siguruar nga Shqiptarja.com policia i bën me dije të gjitha rrugët të cilat janë caktuar si perimetri i sigurisë dhe brenda këtij perimetri nuk lejohet organizimi i protestës, por që mund të zhvillohet në një vend tjetër. Ndërkohë që Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se Godina e Kryeministrisë është edhe ajo pjesë e Perimetrit të Sigurisë edhe për shkak të një ‘Plani B’ për organizimin e një Samiti kaq të rëndësishëm, në rast se do të dështonte për arsye të ndryshme plani i parë, ai në Hotel Marriot.