Policia vendore e Shkodrës pas 15 orësh nga ngjarja ka arritur që të ketë prova të besueshme se plagosja e Vinçens Pirolit ka ndodhur në Shkodër. Pavarësisht indicieve të deritanishme ende forcat e policisë nuk kanë gjetur vendin e saktë se ku mund të jetë plagosur 34 vjeçari por nisur nga kamerat e sigurisë por edhe dëshmi të ndryshme, efektivët kanë ngritur prova të besueshme se plagosja ka ndodhur në Shkodër.
Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia e personit që e transportoi Pirolin nga Shkodra drejt Lezhës. Ky person quhet Mark Nika dhe është një kushëri i 34 vjeçarit. Shtetasi Mark Nika ka deklaruar se sëbashku me Pirolin janë nisur nga Lezha drejt Shkodrës pasi 34 vjeçari i kishte thënë se do të takonte një person.
“Jemi nisur nga Lezha për në Shkodër pasi Vinçensi më tha se do të takonte një person. Kemi mbërritur në Shkodër rreth orës 18:30. Në hyrje të urës së Bahçallekut që është edhe hyrja e Shkodrës Vinçensi është ulur në tokë dhe është futur në një rrugë dytësore. Aty kishte edhe një xhami. Unë e kam pritur në makinë.
Papritur kur erdhi dikush e kishte plagosur. Unë nuk e di as se kush e ka plagosur dhe as arsyen sepse nuk më ka treguar. Pastaj e kam dërguar ashtu të plagosur tek spitali i Lezhës sepse nuk donte ta çoja në Shkodër për shkak se kishte frikë se mund t’i ndodhte ndonjë gjë. E kam çuar në spitalin e Lezhës dhe e kam lënë aty. Nuk e kam idenë se kë ka takuar dhe se kush e ka plagosur”, mësohet të ketë thënë në dëshminë e tij për policinë shtetasi Mark Nika.
Po ashtu ky person pasi është indentifikuar ka ardhur deri në Shkodër i shoqëruar nga policia për t’i treguar fiks vendin se ku e ka lënë 34 vjeçarin Vinçens Piroli i cili mbeti i plagosur dhe që është pikërisht kjo rrugicë dytësore në lagjen Bahçallek të Shkodrës, buzë lumit Drin ku ndodhet edhe xhamia e Bahçallekut.
Tek kjo rrugicë nuk ka kamera sigurie por as në aksin kryesore ku ndodhet hyrja e kësaj rrugice gjë e cila e ka vështirësuar punën për policinë duke mos qenë të bindur për vendin e ngjarjes edhe pse efektivët deri më tani kanë prova të besueshme se ngjarja ka ndodhur në Shkodër. Vinçens Piroli është në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e shtetasit Momçillo Gjurishiq në Malin e Zi.