Rreth 150 raste në vit shënohen në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës si kërkesa që vijnë nga shtete të ndryshme të Europës për të verifikuar nëse persona apo familje të ndryshme janë në gjakmarrje, konflikte apo kanë apo jo ngjarje të regjistruar në polici.
Këto 150 raste brena një viti kanë të bëjnë me përgjigjet negative që policia e Shkodrës i kthen dhe që për policinë nuk ekzistojnë. Kjo shifër konfirmohet nga vetë drejtoria vendore ndërsa bëhet fjalë për ato raste që sipas policisë personat apo familjet e ndryshme kërkojnë të abuzojnë. Sipas policisë dokumente false apo edhe rrëfime false bëhen nga kjo kategori shtetasish me qëllimin e vetëm për të përfituar azil politik në vendet e ndryshme të Europës. Policia e Shkodrës pranon se ky fenomen vazhdon që të jetë prezent pavarësisht masave që janë marrë qoftë në kontrollet më të rrepta në pikat kufitare apo edhe me goditjen ndaj rasteve të tilla kur konstatohen përpara se të largohen. Gjithsesi me dhjetra persona largohen nga Shqipëria dhe konkretisht edhe nga Shkodra duke kërkuar azil në vendet e ndryshme të Europës. Kryesisht sipas policisë pjesa më e madhe e tyre shfaqin si justifikim gjakmarrjen, konfliktet apo edhe përndjekjen dhe mungesën e sigurisë për jetën e tyre gjëra për të cilat unfiormat blu bëjnë me dije se nuk ekzistojnë. Arsyet se pse mund të largohen janë ato ekonomike në shumicën e rasteve por duke mos patur zgjidhje tjetër sipas policisë shkodranët por edhe shtetasit shqiptar i prezantojnë në një mënyrë tjetër gjë e cila dëmton imazhin e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë policia e Shkodrës i referohet edhe analizës së bërë para pak ditësh teksa thuhet se vrasjet, plagosjet apo edhe konfliktet e tjera kanë një rënie gjë e cila bie ndesh me shkresat që shtetet e huaja dërgojnë për konfirmim që sipas policisë nuk ekzistojnë sit ë vërteta.