ASGJESOHEN NË VAU DEJËS, SHOSH DHE TEMAL 1660 RRËNJË CANABIS SATTIVA. Operacionet antikanabis të policisë së Qarkut Shkodër kësaj radhe janë përqendruar në fshatrat e Bashkisë Vau Dejës, komunën Shosh dhe Temal. Pas kontrolleve të imtësishme të territorit në këto zona policia ka arritur të asgjesojë 1660 rrënje bimë narkotike.
Në komunikatën për shtyp të bluve të Shkodrës bëhet e ditur se nga puna e Efektivëve të Komisariatit të Policisë, në vijim të operacioneve antikanabis, për gjetjen dhe asgjesimin e bimëve narkotike të mbjella, u ushtrua kontroll në disa zona në Qarkun e Shkodrës ku u gjetën dhe u asgjesuan në total 1660 rrënje bimë narkotike Canabis Sattiva. Konkretisht në fshatin Mllue, bashkia Vau Dejës janë gjetur dhe asgjesuar 7 parcela me 800 rrënjë bimë narkotike te dyshuara si Canabis Sattiva. Në fshatin Dardhë, në komunën Shosh janë gjetur dhe asgjesuar dy parcela me 510 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Canabis Sattiva. Po ashtu në fshatin Gushtë në komunën Temal, janë gjetur dhe asgjesuar 6 (gjashte) parcela me 350 rrënjë bimë narkotike Canabis Sativa. Këto bimë narkotike u asgjesuan në vend me anë të djegies ku një pjesë e tyre u mor në cilësinë e provës materiale. Policia nga ana e saj po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, për vepren penale ”Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga Neni 284 i Kodit Penal.