SHKAK RASTI I NDODHUR NË MAQEDONI, KU U ZUNË PRITË DISA EFEKTIVË. Forca të shumta të policisë maqedonase janë futur sot në fshatin e banuar me shqiptarë në Malinë te Shkupit. Qindra policë të armatosur janë futur mëngjesin e sotëm në këtë zonë dhe po kontrollojnë shtëpitë, kurse mbi fshat po fluturojnë helikopterë të policisë maqedonase.
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka publikuar pamjet e para të postës policore kufitare në Goshincë të Malësisë së Likovës, vetëm një ditë pas ndërhyrjes së grupeve të armatosura, që zunë në pritë katër policë. Në këto pamje të publikuara nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë shihen ambientet e policisë, ndërsa përveç kësaj shfaqen pamje të telefonave të shkatërruar të pjesëtarëve të policisë. Në këtë postë policore sulmi u krye rreth orës 02.30, kur u kapën katër pjesëtarët e policisë që ishin roje. Tre prej tyre raportohet se ishin shqiptarë. Sipas autoriteteve maqedonase sulmi u krye nga 40 persona të armatosur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni sulmuesit kanë komunikuar mes tyre në gjuhën shqipe dhe kanë hyrë nga Kosova.