Reperi i njohur Don Xhon është ndaluar sot nga Policia e Kosovës në Prishtinë. Reperi ndodhej në makinën e mikut të tij, kur u ndalua për kontroll në rrugën “Tirana”. Lidhur me rastin, “Telegrafi” ka kontaktuar zyrën për informim në Policinë e Kosovës, që ka dhënë detaje në lidhje me rastin. Është mësuar se ndaj mikut të reperit Festim Strumçaku është ngritur padi për mbajtje të paautorizuar në armës.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht zyrtarët e Njësitit të reagimit të shpejtë, sot rreth orës 14:30, në rrugën “Tirana” në Prishtinë, për kontroll rutinore, kanë ndaluar një veturë të tipit ‘Range Rover’. Pas një kontrolli të detajuar që i është bërë (dy) personave dhe veturës, policia ka arritur që të gjejë dhe të sekuestrojë: një armë të shkurtë, një karikatorë si dhe gjashtë fishekë. F.S, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është dërguar për intervistim,në stacionin policor qendra në Prishtinë. Ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës dhe i njëjti më pas me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në deklaratën e policisë.
Sakaq, menjëherë pas ndalimit, Don Xhon ka publikuar një foto me mikun e tij në Instastory, duke e pyetur me shaka se çfarë e pyetën policët gjatë kontrollit.