Policia e Shkodrës bashkë me forcat special të RENEAS dhe FNSH-në vijojnë kërkimet për autorin e vrasjes së dyfishtë të dy vëllezërve Shkami. I dyshuari kryesor Esat Dushaj, 31 vjeçari që qëlloi me breshëri automatiku mbi dy vëllezërit Skënder dhe Abdulla Shkami ende nuk është arritur që të arrestohet nga ana e policisë.
Gjatë së shtunës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në vendin e quajtur dyqanet e Drishtit në Postribë nisën kërkimet dhe u vendosën kudo postoblloqe. Edhe pse është krehur një pjesë e mirë e malit të afërsi të vendit të ngjarjes, 31 vjeçari Dushaj ka arritur që t’i shpëtojë policisë. Gjatë orëve të natës zona është mbajtur e rrethuar dhe me kontrolle të rrepta por ritmi i kërkimeve ka rënë për shkak të disfavorit që sjell errësira. Në orët e mëngjesit kërkimet nisën sërish për kapjen dhe arrestimin e Esat Dushaj që vrau dy vëllezërit Shkami për arsye se njëri prej tyre, Skënder Shkami nuk i dha vajzën për nuse. Disa pista janë për fshehjen dhe venndodhjen e Esat Dushaj që në gjendje civile ka një tjetër emër, Aleksandër Dushaj. Mendohet se 31 vjeçari I dyshuar si autor i krimit të dyfishtë mund të ketë kaluar në fshatrat malore të Dukagjinit. Nëse kjo ka ndodhur atëherë shkalla e vështirësisë për arrestimin e tij shtohet edhe më shumë për shkak të terrenit malor dhe vendeve të pafundme që Dukagjini ofron për t’u strehuar. Një tjetër pistë për policinë është se Dushaj mund të ketë shkuar në drejtim tjetër, në fshatrat malor që lidhen me zonën ku ka ndodhur ngjarja dhe që janë pjesë e bashkisë Vau Dejës. Esat Dushaj mendohet gjithashtu se është i armatosur ndaj edhe përbën një rrezik jo vetëm për qytetarët por edhe për forcat e shumta të policisë që janë vënë në ndjekje të tij.