Policia e Tiranës nuk merr përsipër sigurinë në takimet që Partizani do të zhvillojë në stadiumin e Tiranës, “Selman Stermasi”, ndaj ka kërkuar gjetjen e një tjetër zgjidhjeje, duke nisur që nga sfida e së hënës, kur “Të kuqtë” do të përballen me Vllazninë.

Përmes një shkrese drejtuar klubit Partizani, atij të Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, policia rendit si arsye vendimin e marrë nga tifozët e Tiranës për të bojkotuar skuadrën e tyre për shkak të marrëveshjes së arritur mes drejtuesve të dy klubeve, që i lejon Partizanit të luajë ndeshjet në “Selman Stermasi”. “Tifozët janë shprehur se do të bllokojnë hyrjet e stadiumit, duke mos lejuar lojtarët e ekipit të Tiranës që të futen në stadium për t’u mos zhvilluar ndeshja. Ky fakt është konstatuar që më datë 26 janar në kompleksin “Skënder Halili”, ku fitozët nuk lejuan lojtarët e ekipit të Tiranës të zhvillonin stërvitjen e radhës duke krijuar incidente”, thotë Policia. Policia thotë gjithashtu se ka informacione për akte dhune edhe nga tifozët e Partizanit.

“Gjatë zhvillimit të ndeshjeve në këtë stadium, do të kryejnë akte të ndryshme dhune si prishje dhe dëmtime të simboleve të klubit Tirana, dekorin e stadiumit, thyerjen e stolave e dëme të tjera si shenjë hakmarrjeje ndaj tifozëve të Tiranës”, vijon shkresa e Policisë. E duke analizuar gjithë këto të dhëna, policia kërkon që të gjendet një zgjidhje tjetër nga institucionet përkatëse. “Nisur nga situata e krijuar ndërmjet palëve, kushteve jo të mira të stadiumit, të cilat janë favorizuese për tifozët për të shkaktuar incidente të ndryshme apo ngjarje të rënda që mund të dëmtojnë rëndë jetën e sportistëve, abritrave dhe vetë tifozëve, me qëllim shmangien e përplasjeve, kërkojmë nga të gjithë aktorët që përfshihen në këtë proces që të bëhet e mundur një zgjidhje tjetër, pasi Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, për situatën e krijuar e ka të pamundur marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes”, mbyllet shkresa e firmosur nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Artikulli paraprakDIALOGU NË RRUGË ‘PA KRYE’
Artikulli tjetërÇËSHTJA “BALILI” , NIS MBLEDHJA E KËSHILLIT TË SIGURISË KOMBËTARE