Pas shkresës që bashkia Shkodër ka dërguar në drejtorinë e policisë vendore për hetimin për shfrytëzimin dhe trafikimin tek familjet e fëmijët rom, policia bën me dije se në këto dy muaj ka hetuar por deri më tani nuk ka arritur të zbulojë asnjë rast.

Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi në një deklaratë të saj pas pas disa dëmeve në afërsi të liqenit, bëri të ditur se i është drejtuar zyrtarisht policisë së Shkodrës, kryesisht për të eleminuar trafikimin tek romët, shfrytëzimin në punë të tyre nga individë të ndryshëm apo edhe kontrollin e lëvizjes së parregullt që bëhet atje. “Star Plus” në një komunikim me policinë vendore të Shkodrës mësoi se uniformat blu kanë nisur që të hetojnë pas shkresës së dërguar nga bashkia por deri më tani nuk kanë arritur të zbulojnë ndonjë rast siç pretendon institucioni i bashkisë. Në përgjigje, zyra e shtypit e policisë deklaron se hetime janë bërë por nuk është arritur të bien në gjurmët e ndonjë trafikanti apo të atyre që shfrytëzojnë familjet dhe fëmijët rom për punë. Çdo ditë edhe pse me dhjetra familje rome lëvizin në qendër të qytetit, bashkë me fëmijët e tyre duke lypur si e vetmja mënyrë për të siguruar bukën e gojës në kushtet që ata janë, policia nga ana e saj nuk arrin që t’i identifikojë dhe t’i zbulojë si raste. Një pjesë e tyre gjenden rrugëve duke lypur ndërsa fëmijë të tjerë punojnë duke shitur çfarëdo për të fituar ndonjë qindarkë. Të gjitha këto raste për bashkinë Shkodër janë lehtësueshme të zbulueshme ndaj edhe kryebashkiakja ka kërkuar një hetim të mirëfilltë dhe jo vetëm monitorim. Ky shfrytëzim në punë i fëmijëve nga vetë familjet apo i familjeve rome nga persona të tjerë që bashkia i cilëson si tutorë e trafikantë ndodh prej vitesh ashtu si në të gjithë Shqipërinë edhe në Shkodër por ende nuk ka një nismë për t’i ndalur të dalin rrugëve sepse gjendja e tyre ekonomike është e dobët dhe nuk kanë se si të sigurojnë të ardhura.

Artikulli paraprak30 QERSHOR AFATI I FUNDIT, AKOMA 650 BIZNESE DEBITORE NDAJ BASHKISË
Artikulli tjetërDREJTORI HYSAJ: KONTROLLE SUBJEKTEVE TË SHEZLLONEVE NË VELIPOJË