Policia e Shtetit njofton se gjatë 48 orëve të fundit që u zhvillua operacioni “Tispol”, në të gjithë vendin u arrestuan 31 drejtues mjetesh, nga këta 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Duke përdorur aparatet drager gjatë 48 orëve janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 74 drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu u konstatuan me radar 76 drejtues mjetesh, të cilët qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 140 km/h deri në 174 km/h. Jane pezulluar dhe dërguar në OASH edhe 36 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera që parashikohen nga Kodi Rrugor, me masë ndëshkimi pezullim patente.
Janë vendosur 646 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, të cilët janë evidentuar nga shërbimet e kombinuara me punonjës policie civilë. 321 masa u vendosën për mospërdorim të rripit të sigurimit, 578 për parakalime të gabuara, 87 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, 11 për gara shpejtësie, ndërsa pjesa tjetër prej 2 981 masash administrative janë vendosur për parkime të gabuara e shkelje të tjera.
Policia Rrugore deklaron se do të vijojë kontrollet e shtuara në të gjitha ditët e javës, për mjetet e transportit publik (kryesisht për nxënësit) dhe linjave urbane e interurbane.