Policia rrugore ka shtuar kontrollet në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit dhe pas verifikimit ka proceduar administrativisht shumë drejtues automjetesh që kanë shkelur rregullat e qarkullimit.
Policia rrugore ka kryer monitorimin dhe dokumentimin për shkelje e sinjalizimit rrugor, siç janë lëvizjet në korsitë e rezervuara për shërbimin publik dhe ato të biçikletave, sistemet e fiksimit për fëmijët nën 12 vjeç, shkeljet e semaforit, përdorimi i aparateve celular gjatë drejtimit të mjeteve etj.
Rrugorët e kryeqytetit, duke konsideruar ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve, kanë vijuar kontrollet policore dhe verifikimet e tyre, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe për procedimin e shkeljeve që nga analizat e riskut rezultojnë edhe shkak për aksidentet rrugore.
Patrullimet dhe kontrollet policore janë fokusuar në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, në varësi të problematikës që i karakterizon ato, siç janë korsitë e rezervuara për shërbimin publik dhe ato të biçikletave, sistemet e fiksimit për fëmijët nën 12 vjeç, shkeljet e sinjalizimit të ndritshëm (semafor), përdorimi i aparateve celular gjatë drejtimit të mjeteve etj.
Në funksion të kontrolleve, përgjatë 24 orëve të fundit janë verifikuar dhe proceduar administrativisht:
67 drejtues mjetesh, pasi janë konstatuar duke qarkulluar në korsitë e rezervuara për shërbimin publik dhe ato të biçikletave;
26 drejtues mjetesh, pasi janë konstatuar se vazhdonin lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë;
13 drejtues mjetesh, pasi janë konstatuar se mbanin fëmijët nën 12 vjeç, të papajisur me sisteme fiksimi;
56 drejtues mjetesh, pasi janë konstatuar duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjeteve.
Gjithashtu, janë vendosur 567 masa të tjera administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.