Flota e re e automjeteve të Policisë Rrugore, e pajisur me bazën logjistike bashkëkohore, makinën inteligjente dhe radarët automatikë, në monitorim të qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Prej një jave, në të gjitha rrugët e vendit, këto mjete kanë skanuar shpejtësi deri në dyfish mbi normën e lejuar, në rrugët urbane dhe në ato nacionale. Shpejtësitë më të mëdha janë konstatuar gjatë orëve të mbrëmjeve dhe gjatë orëve të para të mëngjeseve.

Gjatë një jave, janë pezulluar 683 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara.

Janë vendosur 1610 masa administrative, po për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues pezullim i lejes së drejtimit.

Gjithashtu, janë evidentuar dhe ndaluar 233 automjete të shpallura “Alert”, kryesisht për shpejtësi, të evidentuara nga makina inteligjente. Drejtuesve të këtyre mjeteve u është pezulluar leja e drejtimit, si dhe janë ndëshkuar me masat administrative përkatëse.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar 22 drejtues mjetesh, për gara shpejtësie.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar 431 drejtues mjetesh, për parakalime të rrezikshme në rrugë.

Nga përpunimi që i kanë bërë operatorët pamjeve filmike të skanuara nga makina inteligjente, shumë drejtues mjetesh janë evidentuar në shkelje të dyfishtë ose të trefishtë. Përveç shpejtësisë së skanuar nga makina inteligjente, nga përpunimi i të dhënave ka rezultuar se drejtuesit nuk kishin vendosur rripin e sigurimit dhe/ose kishin përdorur edhe celularin gjatë drejtimit të automjeteve.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sepse të gjitha akset rrugore, nga Morina në Sarandë janë në monitorim 24/7 nga Policia Rrugore, e cila ka në dispozicion mjete logjistike bashkëkohore, për të evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Artikulli paraprak“NJË IKONË E KULTURËS SHQIPTARE U SHUA”! POLITIKANËT MESAZHE PREKËSE PËR NDARJEN NGA JETA TË REGJISORES SË NJOHUR
Artikulli tjetërNDRYSHIM I RËNDËSISHËM I FIFA PARA KATARIT, LAJM I MIRË PËR KOMBËTARET QË DO MARRIN PJESË NË BOTËROR