Drejtoria e Policisë Rrugore/Masa të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në akset rrugore nacionale, në qendrat urbane dhe pranë shkollave.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia Rrugore, gjatë javës që lamë pas, ka shtuar masat në afërsi të shkollave në qendrat urbane, me qëllim respektimin e vijave të bardha, në drejtim të kontrollit të automjeteve që transportojnë nxënës etj.

Gjithashtu, gjatë javës që kaloi, u ushtruan kontrolle të shumta në drejtim të parandalimit të drejtimit të automjetit në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësi tej normave të lejuara apo për parakalime të gabuara, si dhe të shkeljeve të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore, 24/7, duke përdorur mjete inteligjente poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë dhe dragera, gjatë javës që lamë pas:

-janë pezulluar 162 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;

-janë arrestuar 42 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 19 948 masa administrative, për një sërë shkeljesh të konstatuara, si shpejtësi tej normave të lejuara, parakalime të gabuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit, të drejtimit të automjetit në efektin e alkoolit, parkime të gabuara dhe mospërdorim të kaskës mbrojtëse nga ana e drejtuesve të motomjeteve etj.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, që t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Artikulli paraprakDËSHMIA E AUTORIT TË PLAGOSJES SË DYFISHTË: JA PSE I QËLLOVA ME ARMË
Artikulli tjetërSHKODËR, NIS PRISHJA VULLNETARE E OBJEKTEVE TË NDËRTUARA PA LEJE