Nisur nga ankesa e Aleances LGBT dhe ProLGBT ndaj një incidenti të ndodhur ditën e marte, datë 19.01.2016, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër sqaron se: Gjatë patrullimit në rrugën “Mehmet Pash Plaku”, rreth orës 15:30 datë 19.01.2016 Patrulla e Policisë së Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Shkodër ka konstatuar një mjet tip ‘Renault’ të ndaluar në korsinë e biçikletave.
Punonjësit e Policisë, në zbatim të dispozitave të Kodit Rrugor, i janë afruar mjetit dhe i kanë kërkuar dokumentacionin e tij drejtueses, shtetases Xh. K.Gjatë komunikimit të Punonjësve të Policisë me drejtuesen e mjetit, ata vunë re se një prej personave të tjerë që ndodheshin në makinë shfaqi shenja të shmangies së kontaktit me Punonjësit e Policisë. Duke qenë se kjo sjellje ngjalli dyshime Punonjësit e Policisë, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, i kërkuan mjetin e identifikimit, të cilin shtetasi nuk e dispononte.Në këtë moment Punonjësit e Policisë u gjendën përballë një komunikimi verbal agresiv nga drejtuesja e mjetit shtetasja Xh. K. me pretendimin se u ndien të diskriminuar nga kjo kërkesë e Punonjësve të Policisë. Situata u sqarua pasi shtetasi paraqiti një dokument që vërtetonte aplikimin e tij për mjet identifikimi të ri. Punonjësit e Policisë morën masë administrative ndaj shkeljes së bërë nga drejtuesja e mjetit.Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër bën me dije se nuk mbështet asnjëherë dhe për asnjë arsye, asnjë lloj paragjykimi apo diskriminimi që mund të bëjë ndonjë punonjës policie, të asnjë shtetasi, pavarësisht orientimit apo identitetit gjinor apo seksual, si dhe trajton çdo qytetar me paanshmëri dhe barazi, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Ju bëjmë me dije se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat po heton çështjen ne fjalë, për t’u siguruar nëse sjellja e punonjësve të Policisë ka qenë në përputhje me ligjin.