Prej mëngjesit të sotëm forca të shumta të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe forcat RENEA kanë zbarkuar në një megaoperacion në kampin MEK në Durrës, për të ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet dhe zyrat ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane.
Burime thanë se janë ushtruar kontrolle të imtësishme, në pajisje elektronike si kompjutera, telefonë, dronë, etj. Operacioni u drejtua nga kreu i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ndërsa burime bëjnë me dije se janë lëshuar 70 urdhër-arreste.
Zëdhënësi i kampit të iranianëve MEK në Manzë të Durrësit pretendon se policia shqiptare ka vrarë një person brenda kampit e ka plagosur dhjetra të tjerë. Sipas tyre ai ka humbur jetën pasi është hedhur shumë gaz lotsjellës. Por policia shqiptare thotë se pretendimet e tyre nuk janë të vërteta. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit bëhet me dije se ka ndërruar jetë një 65-vjeçar për shkak të ‘arrestit kardiak’. Trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë në spitalin e Durrësit.
Burime jo zyrtare nga SPAK konfirmojnë se urdhri i kontrolleve është bërë në kuadër të një hetimi për qëllime terroriste. Konfirmohet se bëhet fjalë një operacion që ka ardhur pas informacioneve të siguruara për qëllime terroriste, dhe kjo ka qenë arsyeja e ndërhyrjes.
Policia ka patur urdhër kontrolli dhe sekuestrimi sendesh. Prokurori Vladimir Mara është përfaqësuesi i SPAK që ka paraqitur kërkesën në GJKKO për ushtrim kontrollesh, sekuestrim dokumentacionesh, serverash dhe sendeve të tjera me vlerë për hetimin.
Përmes një njoftimi për shtyp policia e shtetit informoi se kontrollet bëhen në kuadër të një plani operacional në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës.”- njofton policia.