Kryediplomati amerikan në vendin tonë Donald Lu ka përshkruar edhe një herë për publikun historinë e një nëne shqiptare të cilës drejtësia shqiptare i ktheu shpinën për shkak të korrupsionit.
Bëhet fjalë për historinë e një gruaje të dhunuar prej shumë vitesh nga bashkëshorti i saj, një i dënuar, me precedentë të shumtë penalë. Pasi gruaja gjeti guximin të rrëfejë historinë e saj dhe t’i drejtohet gjykatës, aty gjyqtari i korruptuar – theksoi ambasadori – i dha kriminelit pasurinë dhe kujdestarinë për 2 nga 3 fëmijët e saj. “Korrupsioni në drejtësi jo vetëm që i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista; ai po shkatërron jetët e njerëzve të zakonshëm e të ndershëm. Të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa gratë, të varfërit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat”, tha ambasadori. Gjatë fjalës që mbajti në prezantimin e një sondazhi që është bërë në Shqipëri për korrupsionin, një bashkëpunim të USAID dhe IDRA, ambasadori amerikan në vendin tonë, gjithmonë i drejtpërdrejtë në gjuhën shqipe, rrëfeu për bisedën që kishte pasur me një politikan shqiptar i cili i ishte shprehur se shqiptarët nuk e kuptojnë debatin për reformën në drejtësi dhe korrupsionin. “Këtë javë pata një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk e kupton dot vërtet debatin për reformën në drejtësi. Sinqerisht, kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe të elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë boll të zgjuar sa të kuptojnë çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare”, tha Lu. Por duke cituar rezultatet e këtij sondazhi, Lu tha se qytetarët shqiptarë e shohin problemin e korrupsionit tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjykatësit dhe doganierët. Kjo sipas Lu-së, tregon se shqiptarët në fakt, e kuptojnë më së miri këtë problem, duke lënë të kuptohet se edhe ai mbështet këtë shqetësim të tyre dhe e gjen korrupsionin pikërisht tek këta zyrtarë. “Studimi vazhdon të tregojë se problemet më të mëdha të korrupsionit mbeten tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjykatësit dhe doganierët. Nuk habitem aspak nga ky përfundim që tregon se populli shqiptar e kupton vërtet se çfarë ndodh me korrupsionin në vendin e tij. Ka ardhur koha që politikanët të fillojnë ta dëgjojnë”, u shpreh ambasadori. Raporti tregon pak përparim gjatë 12 muajve të fundit me një rënie prej 13 për qind të njerëzve që thonë se kanë pasur një përvojë vetjake dhe të drejtëpërdrejtë me korrupsionin.