Presidenti polak Andrzej Duda fali të martën dy ish anëtarë të kabinetit qeveritar dhe bëri thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm nga burgu, në përputhje me kërkesat e partisë kryesore opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila humbi zgjedhjet muajin e kaluar. Ish ministri i brendshëm Mariusz Kaminski dhe zëvendës i tij Maciej Wasik u burgosën këtë muaj pasi u dënuan për abuzimin me detyrën në funksionet e tyre qeveritare. Të dy zyrtarët u futën në grevë urie, duke thënë se janë të burgosur politikë dhe burgosja e tyre shkaktoi protesta të gjera me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra mbështetësve të partisë PiS.

Presidenti Duda, një aleat i kësaj partie, pati dekretuar faljen e të dy politikanëve pasi u dënuan fillimisht në vitin 2015, por Gjykata e Lartë polake e shpalli të pavlefshëm dekretin e tij, duke thënë se falja presidenciale nuk mund të bëhej përpara se të merrej një vendim përfundimtar për çështjen. Dy ish-zyrtarët shërbenin në atë kohë në qeverinë nacionaliste të partisë PiS dhe Gjykata e Lartë vendosi vitin e kaluar se çështja duhej të rihapej. Ata u dënuan me dy vite burgim në dhjetor, kur qeveria e re e koalicionit të qendrës mori pushtetin në Poloni. Pak ditë pas burgosjes së tyre, zoti Duda njoftoi se kishte filluar procesin për faljen e tyre për herë të dytë.

“Për mua, ata janë gjithnjë të falur, por duke marrë parasysh trazirat sociale, vendosa të filloj procedurë të re faljeje. I bëj thirrje ministrit të drejtësisë për lirimin e menjëhershëm nga burgu të këtyre dy zotërinjve”, u shpreh në një deklaratë presidenti Duda.

Më herët të martën, ministri i Drejtësisë Adam Bodnar, i cili është edhe prokuror i përgjithshëm, tha se dy personat nuk duhet të falen, por se opinioni i tij nuk është i detyrueshëm për presidentin. Kryeministri i ri Donald Tusk është zotuar të zhbëjë disa nga politikat e partisë PiS dhe të ndëshkojë zyrtarët e akuzuar për shkelje gjatë periudhës që ishin në detyrë. Zoti Tusk ka thënë se dëshiron ta rikthejë Poloninë në linjat e standardeve demokratike të Bashkimit Evropian, pas qeverisjes tetëvjeçare të partisë PiS gjatë së cilës pati përplasje të rregullta me Brukselin për reformimin e gjyqësorit, mediave dhe sektorë të tjerë.

Artikulli paraprakHELIKOPTERI AMERIKAN I KFOR-IT SHPËTOI TURISTËT ZVICERANË NË KORAB, SHËRBIMI I KËRKIM-SHPËTIMIT I KOSOVËS JEP DETAJE PËR OPERACIONIN
Artikulli tjetërEGJIPTI: HAMASI HODHI POSHTË MARRËVESHJEN PËR NJË ARMËPUSHIM DY MUJOR NË KËMBIM TË PENGJEVE