Bashkitë e Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës dhe Fierit kanë pësuar rënien më të madhe të popullsisë në numër me të dhënat e cens 2011 dhe 2023, në anën tjetër rritjen më të madhe të popullsisë në numër e ka Bashkia e Tiranës, Dropullit, Himarës dhe Sarandës.

Në përqindje, bashkitë me tkurrjen më të madhe të popullsisë ndërmjet dy censeve janë Bashkia e Selenicës me 48%, e Pustecit me 43%, Pukës me 44% dhe Rrogozhinës me 43%, në anën tjetër, popullsia e Bashkisë Dropull rezulton të jetë rritur me 135%, ajo e Himarës me 45% dhe e Sarandës me 11% dhe Tiranës me 7.3%.

Popullsia sipas bashkive tregon se Shkodra ka pësuar rënien më të madhe në numër. Në Bashkinë e Shkodrës, në tetor 2023 u numëruan 102,434 banorë nga 135,612 banorë në vitin 2011. Shkodra është kryeqendra e Veriut dhe një nga qytetet më të mëdha shqiptare me rëndësi sa i përket kulturës historisë dhe pozitës gjeografike.

Gjithashtu Bashkia e Shkodrës është nga më të pasurat me burime natyrore dhe me potencial të lartë zhvillimi. Por të gjitha këto përparësi nuk kanë mjaftuar për largimin e banorëve.

Pas Shkodrës, rënien më të madhe të popullsisë në numër e kishte Elbasani me tkurrje 26,613 persona ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023, në këtë qytet u numëruan 115,101 banorë nga 141,714 të tillë që ishin në cens 2011.

Bashkia e Durrësit u pakësua me mbi 21 mijë banorë. Elbasani dhe Durrësi janë pjesë e zonës metropolitane. Banorët e këtyre dy qyteteve kanë më shumë mundësi punësimi se në rajonet e tjera më periferike.

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, e cila është një qendër graviteti në krahasim me të tjerat për emigracionin e brendshëm, është shtuar vetëm me 40 mijë e 754 banorë nga 2011 në 2023.

Rritja e popullsisë së kryeqytetit nuk është një lajm i mirë për ndërtuesit në kryeqytet të cilët kanë ndërtuar për projeksione të gabuara deri më tani me të dhëna që Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit.

Të dhënat e cens 2023 tregojnë se ka rritje të ndjeshme të popullsisë në bashkitë ku dominon minoriteti grek.

P.sh. në Bashkinë e Dropullit në vitin 2023 u numëruan 8259 banore, ndërsa në vitin 2011 vetëm 3503 banorë. Teksa popullsia e gjithë vendit është pakësuar me të paktën 14.8% nga 2011 në 2023, në Bashkinë e Dropullit popullsia ka shënuar rritje me 135%.

Gjithashtu popullsia në Bashkinë e Himarës në vitin 2023 rezultoi 45% më e lartë se në vitin 2021. Në këtë bashki nga të dhënat e cens 2023 rezultuan 8328 banorë nga 5738 banorë që ishin në vitin 2011.

Në Bashkinë e Sarandës, popullsia ndërmjet dy censeve u rrit me 11.8% ose me 2386 banorë më shumë.

Nga 61 bashki vetëm në 6 bashki popullsia shënoi rritje ndërmjet censeve ndërsa në 55 prej tyre ishte në rënie.

Përveç bashkimeve me popullsi minoritare dhe Tiranës, rritje ka shënuar edhe popullsia e Bashkisë së Beratit (+2201 banorë) dhe Dimalit (840 banorë)./Monitor

Artikulli paraprak“TIRANA DIPLO2024”/ RAMA: SHQIPËRIA KA PËSUAR TRANSFORMIM RRËNJËSOR, KUSH THOTË TË KUNDËRTËN LUFTON ME FAKTET
Artikulli tjetërVRAU SHOKUN E DHOMËS NË AZILIN PRIVAT NË TIRANË, NDËRRON JETË NË SPITAL HISTORIANI ZYDI SHEHI