Investimet e Huaja Direkte, që hynë në ekonominë shqiptare në tremujorin e katërt të vendit, ishin 264 milionë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet u rritën me 19%,

pas rënies që kishin shënuar në dy tremujorët e mëparshëm dhe rritjes së lartë të tyre – prej 53% – në tre muajt e parë të vitit, që erdhi si rrjedhojë e disa punimeve voluminoze, kryesisht të kryera nga punimet për gazsjellësin TransAdriatic TAP.

Si rrjedhojë e performancës së lartë të tremujorit të parë dhe të katërt, për vitin 2018, investimet e huaja arritën në vlerën e më shumë se 1 miliard e 21 milionë eurove, me një rritje prej 13.5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një nivel rekord.

Investimet në energjetikë mbajnë peshën kryesore të fluksit të investimeve që hyjnë në vend, me rreth 60%. Vetëm në energjetikë, stoku i investimeve u rrit me 122 milionë euro në tremujorin e tretë 2018 dhe 590 milionë euro për gjithë vitin, si rrjedhojë e investimeve nga gazjellësi TAP dhe kompania që po ndërton disa HEC-e në lumin e Devollit, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Investimet e mëdha
Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga kompania Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Së bashku, të dy investimet llogariten në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat 1.5 miliardë euro janë për gazsjellësin TAP, sipas burimeve zyrtare.

Statistikat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në 2 miliardë euro në fund të 2018, duke zënë 27% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.

Pa këto dy investime, stoku i investimeve në 2018-n do të shënonte një rritje minimale dhe do të ishte rreth 5.4 miliardë euro në fund të tremujorit të tretë 2018, nga 7.3 që rezulton realisht, ose 37% më pak.

Por këto investime po shkojnë drejt fundit. Burime zyrtare nga TAP thanë se punimet për ndërtimin e gazsjellësit janë drejt përfundimit dhe në vitin 2020, TAP do të transportojë sasinë e parë të gazit nga kufiri turko-grek, nëpërmjet Shqipërisë drejt Italisë.

Edhe kompania Statkraft, që po ndërton hidrocentralet mbi Devoll, ka përfunduar hidrocentralin e Banjës dhe po ndërton HEC-in tjetër të Moglicës, një investim prej rreth 300 milionë eurosh, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh.

Në rast se kompania do të bjerë dakord të bëjë edhe një HEC të tretë mbi Devoll, për të cilin ekziston projekti, por nuk është nënshkruar kontratë, kjo do të gjallëronte sërish investimet.

Por kjo do të mbetet në vlerësimin e Statkraft-it, që duhet të llogaritë më parë leverdinë e këtij investimi. Fjala është për HEC-in në Kokël, me kapacitet të parashikuar prej 40 megavatësh, ndërkohë që Moglica ka kapacitet 175 megavat dhe Banja 65 megavat.

Vetëm punimet për këto dy HEC-e sjellin më shumë se gjysmë miliardi euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Në industrinë nxjerrëse, veçanërisht naftë dhe miniera u investuan 171.1 milionë euro, ndërsa në aktivitetin e pasurive të paluajtshme 115 milionë euro. Të huajt duket se po blejnë gjithmonë e më shumë prona të patundshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare.

Biznesmenët
Por, një shenjë pozitive, sado e vogël, në këtë drejtim vjen nga hyrjet e të huajve kohët e fundit në vendin tonë.

Sipas Institutit të Statistikave, në dy muajt e parë të këtij viti, Shqipëria ka pasur 12.380 vizitorë të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale. Këtu kemi të bëjmë kështu me një rritje të ndjeshme me rreth 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Numri i vizitave për të njëjtin qëllim në dymujorin e parë 2018 ka qenë 9.632.

Artikulli paraprakVIZITORËT/ HYRJET NË SHQIPËRI, ULJE 2.8% NË JANAR-SHKURT, ULEN TË ARDHURAT NGA TURIZMI
Artikulli tjetërSHPALLET I PAFAJSHËM PËR PËRDHUNIM PAS 36 VITESH NË BURG