Pastrimi i territorit është padyshim një nga kryesfidat e bashkisë. Pamjet flasin qartë se si hidhen mbeturinat në anë të rrugës në fshatin Meselim të njësisë administrative Postribë.
Duket se janë vetë banorët që i hedhin aty mbeturinat ndërkohë kazanët qëndrojnë të gati të boshatisur.Pirgjet me mbeturinat i gjen që në fillim të rrugës së fshatit e deri në qender të tij.
Pranë vendin ku hidhen këto mbeturina ndodhen disa varreza të vjetra ku prehen të vdekurit e fshatit Meselim dhe kjo nuk është aspak e hijshme për komunitetin e asaj zone.
Këto varreza të vjetra po e humbasin identitetin e tyre pasi territori ku prehen të vdekurit është kthyer në vend për hedhjen e mbeturinave.
Kjo masakër mjedisore përforcohet edhe më shumë duke dëmtuar shtratin e lumit Kir që gjatë stinës së dimrit mbushet i tëri me ujë.
Mbushja e tij i dërgon këto mbetje në lumin Drin e më tutje duke ndotur jo vetëm ujin dhe ajrin por edhe duke bërë që lumenjtë të fryhen e të dalin nga shtrati duke krijuar përmbytje në afërsi të zonave.
Masakra urbane vazhdon të mbysë Shkodren duke mos njohur përmasa përballë së cilës qëndrojnë institucionet përgjegjëse me heshtjen e tyre.
Problemi më i madh qëndron edhe tek kultura e qytetarëve të cilët nuk i përmbahen rregullave dhe ligjeve të komunitetit. Çdo ditë aty sasia e mbeturinave që hidhen është e konsiderueshme.