Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me atë të Tiranës ka vënë në pranga një person dhe shpallur në kërkim një tjetër.
“Në Rinas u godit një tjetër rast i tentativës për kalim të kufirit me dokumente me ngjashmëri.
Falë koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SIMILARITY”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E. A., 24 vjeç, lindur dhe banues në Gane”.
24-vjeçari ka tentuar të kalojë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit me një pasaportë me ngjashmëri, por u bllokua nga kontrollorët e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar edhe në informacionet që dispononin Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas pasi ka siguruar paraprakisht kundrejt shpërblimit monetar pasaportën e shtetasit nigerian O. O., duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së me pasaportën e këtij shtetasi.
Po nga hetimet e kryera dyshohet se ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.