“Nuk ka për t’ju falur asnjëri, tradhtarë”. Kështu u shpreh kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sa i përket kandidatëve nga listat e kësaj partie, që pranuan të marrin mandatin e deputetit, pas vendimit në bllok të opozitës për të hequr dorë nga mandati i deputetit.
Gjatë një takimi me Komitetin Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Rinore për Integrim, Kryemadhi tha se kandidatëve në listat e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, i është bërë presion nga qeveria për të pranuar mandatin.
“Doja t’i falënderoja të gjithë kandidatët e LRI-së, të cilët jo vetëm që nuk u joshën nga paratë e drogës dhe nga paratë e bankave të vjedhura,
por përveç asaj, qëndruan përballë çdo presioni dhe po i them të gjithë atyre, të cilët kontaktojnë kandidatët e LSI-së, mos guxojnë t’ju afrohen sepse të gjithë i mbajnë mend kur keni qenë në pushtet,
kur keni patur mundësi jo vetëm që nuk ju keni hapur telefonin, por përkundrazi i keni rrjepur ata, kështu që qëndrojini larg.
Njerëzit për momentin mund të ju duket sikur ju kanë harruar fytyrat, por fjala e urtë, “Ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron” ne e dimë shumë mirë.
Kështu që për të gjithë ata që duan të përdorin emrin dhe simbolin e LSI-së, të jenë të kujdesshëm se nuk ka për t’jua falur asnjeri.
Logoja e LSI-së, flamuri i LSI-së janë simbole të paprekshme dhe të pacënueshme, mëkatet e njerëzve që hyjnë dhe dalin në listat tona ne do ti paguajmë, por edhe një gjë, tradhtinë të gjithë e përdorin, por tradhtarin asnjë nuk e do”, tha Kryemadhi.
Deri më tani katër kandidatë nga lista e LSI-së pranuan të ulen në Kuvend në karriget e lëna bosh nga kolegët e tyre pas dorëheqjes së opozitës.
Aurora Mara në qarkun e Dibrës, Ylli Shehu dhe Edmond Rrushaj në Tiranë dhe Enver Roshi në Elbasan kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularët e vetëdeklarimit, dhe të hënën pritet të marrin zyrtarisht mandatin nga KQZ.
Komisioni i Zgjedhjeve do të vijojë të kontaktojë dhe njoftojë të gjithë kandidatët në lista për tërheqjen e mandatit, dhe nga ky njoftim ata kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.
Sipas ligjit, ata përjashtohen vetëm kur përmbushet kjo procedurë, dhe këtu vihet në pikëpyetje nëse KQZ do të pranojë në bllok dorëheqje kandidatësh, siç PD ka dorëzuar dy ditë më parë dosjen me dorëheqje kandidatësh nga listat e PD
, ende pa u shkuar thirrja nga KQZ. KQZ pret 10 ditë deri në momentin e dorëzimit të formularëve nga ana e kandidatëve, edhe në rast të mosdorëzimit të formularit, atëherë quhet refuzim i mandatit dhe rinisin njoftimet për kandidatët pasues në lista, deri në përfundim të të gjithë emrave në lista.
Nga Kuvendi dolën, PD dhe aleatët e djathtë, dhe LSI. Kundër vendimit të partive, dolën Lefter Koka i LSI-së dhe Myslim Murrizi i PD-së, të cilët nuk hoqën dorë nga mandati i deputetit. Ndërkohë, Rudina Hajdari e PD-së, ka dhënë sinjalet se nuk do të dorëzojë mandatin.
Sa i përket protestave që opozita ka paralajmëruar të mbajë kundër qeverisë, këtë radhë kryetarja e LSI-së tha se janë marrë masat për të përballuar gazin lotsjellës që policia ka hedhur në rastet kur protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë.