Prefekti i Qarkut Shkodër Paulin Radovani ka miratuar në mënyrë të pjesshme buxhetin e bashkisë ndërsa ka lënë 16 vërejtje.
Prefekti ka miratuar vetëm buxhetin për vitin 2017 por nga ana tjetër nuk ka firmosur buxhetin afat-mesëm 2018-2019 duke e kthyer mbrapsht. Vërejtja e parë e prefektit për bashkinë lidhet me buxhetin afat-mesëm sepse duhej miratuar brenda qershorit të 2016-ës, afat i cili është shkelur. Në këtë mes ka një kontradiktë nga prefektura sepse edhe për buxhetin e 2017-ës janë shkelur afatet ligjore por është firmosur duke i dhënë legjimitetin e plotë. Një tjetër vërejtje e prefektit Radovani është mosparashikimi në buxhetin e 2017-ës i borxheve të prapambetura. Në buxhet sipas prefekturës mungon tabela format e fondit të pagave. Vërejtje e rëndësishme është edhe mungesa e burimit të financimeve për investimet e parashikuara. Sipas prefekturës ka mospërputhje të fondeve tek emergjencat civile dhe tek programi i mjedisit. Në zonat rurale tarifat për ndriçim publik dhe gjelbërim janë 0 nga ana e bashkisë por prefektura thotë se nuk janë në përputhje me parimin për një mirëqeverisje.
Tri vërejtjet e parafundit të prefektit për bashkinë lidhen me taksat për ndërtesën. Ka një pasaktësi shprehet prefektura për ndërtesën e banimit sepse në paketën fiskale taksa është miratuar në vlerën 9 lekë/m2 ndërsa në buxhet është e përllogaritur 12 lekë/m2. Për banesat e dyta në Velipojë taksa e ndërtesës në buxhet është 18 lekë/m2 ndërsa në paketë fiskale gjendet e miratuar me 10 lekë/m2. Mungon edhe niveli i parashikimit të të ardhurave për taksën mbi ndërtesat për fshatrat turistik. E fundit është tarifa e parkingut e miratuar si nivel të ardhurash por vendparkimet nuk janë të përcaktuara nga këshilli bashkiak. Në fund shkresa e prefektit Radovani mbyllet duke thënë: ‘prefekti ju autorizon të procedoni për shkak se nuk dëshiron të jetë pengesë për buxhetin e bashkisë Shkodër duke mos penalizuar aktivitetin e saj financiar por ju kushtëzon që në një mbledhje urgjente të bëni korigjimet e domosdoshme”. Pritet të shihet se si do veprojë bashkia për mosfirmosjen e buxhetit afat mesëm nga prefektura dhe a do t’i marrë parasysh 16 vërejtjet e prefektit.