Prej 22 shtatorit të këtij viti në zyrën me një ndalesë të bashkisë Shkodër por edhe në zyrën e kryetares së bashkisë Voltana Ademi ka mbërritur një kërkesë

ku i propozohet këshillit bashkiak të Shkodrës dhënia e titullit “Mirënjohja e Bashkisë Shkodër” ose “Qytetar Nderi” për ambasadoren e BE në Shqipëri Romana Vlahutin dhe ambasadorin e SHBA-ve Donald Lu. Kjo kërkesë është firmosur nga 11 intelektualë shkodran që vijnë nga fusha të ndryshme. Në propozimin për këshillin bashkiak thuhet se Shqipëria ka arritur një sukses të rëndësishëm me 21 korrik të këtij viti kur u mor konsensusi për miratimin në parim të reformës në drejtësi. “Janë ndryshime shumë të rëndësishme, për të cilat populli i Shkodrës, ka bërë përpjekje nga themelimi i shtetit dhe posaçërisht në vitet e diktaturës komuniste dhe menjëherë pas rënies së saj. SHBA dhe BE janë angazhuar në përfshirjen e Shqipërisë si anëtare e denjë e Aleancës së Atlantikut Verior dhe po punojnë për integrimin si anëtare e BE. Kjo sipërmarrje e vështirë, u realizua falë ndërmjetësimit të jashtëzakonshëm të Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në kushtet e një skene politike shqiptare mjaft të ndërlikuar”. Më tej vijon: “Popullit të Bashkisë Shkodër, shtypur egërsisht në ëndrrën për liri, të cilit iu shkatërrua në burgjet e diktaturës, i takon të nderojë kontributin e rëndësishëm të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin”. Kanë kaluar 52 ditë nga kjo kërkesë dhe nuk është bërë asnjë hap që Komisioni i Vlerësimit të Figurave të mblidhet për t’ja kaluar më pas Komisionit të Kulturës dhe nga aty Komisionit të Këshillit Bashkiak. Në Shkodër kanë marrë tituj nderi persona që kanë shumë pak kontribute ndërsa dy ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, shtetet e të cilave kanë kontribuar pafund për Shkodrën dhe Shqipërinë lihen në 52 ditë pritje. Kërkesa për dhënien e titujve të nderit për diplomatët Donald Lu dhe Romana Vlahutin është një shuplakë edhe ndaj klasës kriminale dhe të korruptuar në Shkodër duke qenë se vjen në një moment kur po avancohet me reformën në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Artikulli paraprakNISIN HETIMET – GRUSHT NË FYTYRË, VDES PAS DISA ORËSH. NDODHI NË VLORË
Artikulli tjetërZONAT E MBROJTURA, PËRFORCIM ME LIGJIN E RI