Presidenca e BE dhe Parlamenti Europian kanë miratuar sot një marrëveshje për Planin e Rritjes së BE-së prej 6 miliardë € për Ballkanin Perëndimor. Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se kjo paketë është një nxitje e madhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më shumë mundësi të reja për qytetarët shqiptarë dhe ata të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit.
Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola shkroi në platformën X se zgjerimi është mjeti më i fortë gjeopolitik i BE –së dhe investimi prej 6 miliardë eurosh në rajonin e Ballkanit Perëndimor do ta ndihmojë këtë rajon që të jetë gati me tregun e përbashkët përpara anëtarësimit.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor u prezantua nga KE në 8 nëntor të vitit të shkuar dhe Shqipëria pritet të përfitojë nga ky plan rreth 1 miliardë euro financime.