Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me homologen e Kosovës, Vjosa Osmani ndërsa dy kryetarët e shteteve ndodhen në Tivat të Malit të Zi ku po mbahet takimi në kuadër të Procesit të Bërdo Brijunit. Presidenti Begaj ndërsa publikoi foto të takimit në rrjetin social X theksoi se takimi me Osmanin ishte një takim i përzemërt e vëllazëror, shkruan ATSH.

“Për mua, mbështetja e Kosovës është misioni dhe detyra ime. Do të vijoj të loboj fort për njohjet e reja të Kosovës, për Kosovën pjesë të organizatave ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë ekonomik do të forcohet më shumë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe portin e ri të Durrësit”, u shpreh Presidenti Begaj.

Ndërkaq, edhe presidentja Osmani publikoi në rrjetet sociale foto nga takimi me Begajn.

“Sot në Tivat, me Presidentin Bajram Begaj, për t’i koordinuar qëndrimet e dy shteteve tona simotra, në të mirë të qytetarëve tanë dhe të ardhmes sonë euroatlantike”, shkroi Osmani.

Artikulli paraprakKANCERI I GJIRIT PREK EDHE MOSHAT E REJA
Artikulli tjetërKOSOVA HEQ NDALESËN PËR MALLRAT NGA SERBIA!