Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka mbajtur një deklaratë për media pasi nuk arriti të mbajë fjalimin e tij para deputetëve në sallë. Begaj u shpreh se Kuvendit i duhet opozita dhe se palët duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Sipas tij seanca e sotme ishte një mundësi që deputetët të shënonin kthesën për situatën në parlament, ndërsa u bëri thirrje këtyre të fundit se duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët pa u penguar nga interesat partiake.

“Për çdo çelje sezoni gjeni mesazhin e presidentit, sot zgjodha të komunikoj drejtpërdrejtë me deputetët për shkak të rrethanave që sollën mbylljen e sesionit të kaluar. Këtë mesazh po e përcjell përmes mediave. Kjo ishte një mundësi që deputetët të shënonin kthesën për situatën në parlament. Me përgjegjësinë madhore që mban detyra juaj, deputetët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të krijojnë një atmosferë ku dominon interesi kombëtar dhe dialogu mes palëve. Pozita dhe opozita duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Kuvendi është vendi ku ka diskutime konstruktive mes palëve dhe është hapësira e debateve ku të gjithë të kenë mundësinë të përfshihen dhe të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën, argumentet e saj dhe përballjen në debat me argumente.

Bashkëpunimi mes palëve ka mundësinë të çlirojë energjinë pozitive. Aty duhet të kultivohet shpresa për të ardhmen dhe demokracia”, tha Begaj.

Artikulli paraprakREFORMA ZGJEDHORE, OSBE GATI PËR TË NDIHMUAR: ZGJEDHJET 2025 JANË AFËR KA SHUMË PËR TË BËRË
Artikulli tjetërBARDHI I PËRGJIGJET PRESIDENTIT: U BË PALË NË KONFLIKT DHE NXITI PËRÇARJEN!