Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përkujtoi sot 113-vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe. Në nderim të 6 prillit të vitit 1911, kur burrat e malësisë valvitën flamurin e Skënderbeut në Deçiq, sot pranë memorialit të kësaj ngjarjeje historike në Hot të Malësisë së Madhe, u zhvillua ceremonia ku Presidenti i Republikës ngriti flamurin kombëtar. Presidenti Begaj nderoi protagonistët e kryengritjes që dhanë gjithçka për të shpëtuar trojet shqiptare nga copëzimi, si dhe atdhetarët që vazhduan përpjekjen për të bërë të mundur pavarësinë dhe njohjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Presidenti Begaj e cilësoi kryengritjen si një lëvizje me karakter kombëtar dhe përbashkuese të shqiptarëve me besime të ndryshme fetare.

Kreu i Shtetit u shpreh, gjithashtu, se nën shtypjen e pushtuesit, ata ditën të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin, që e bëjnë Malësinë e Madhe një zonë unike.
Para banorëve të Malësisë së Madhe, pasardhës të familjeve patriote të kësaj treve, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e tyre për të ruajtur trashëgiminë dhe frymën e të parëve, për të qenë bashkë në përballimin e sfidave dhe në angazhimin për zhvillim ekonomik.

Artikulli paraprakMBAPPE BËHET ÇËSHTJE SHTETËRORE, NË SKENË DEL SËRISH MACRON, PRESIDENTI KA NJË KËRKESË SPECIALE PËR KAPITENIN
Artikulli tjetër“FLOOD NORTH ALB” PROJEKTI PËR MENAXHIMIN E PËRMBYTJEVE