Edhe Shqipëria do t’i ndjejë efektet e recesionit. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço thotë se vendi shigjetohet nga 4 kërcënime që janë emigracioni, inflacioni, kriza energjetike dhe sfidat gjeopolitike.
“Së pari, vijimi i emigracionit – njerëzit në mungesë të mundësive do vijojnë t’i kërkojnë ato gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Nuk ka arsye thelbësore që ky trend do ndryshojë. Së dyti, inflacioni megjithëse ai global po frenohet pritet të vijojë të jetë i ndjeshëm duke shkaktuar efekte sidomos në shtresat sociale vulnerabël. Së treti, kriza energjetike po trondit balancat e përfitueshmërisë për disa biznese, duke vënë në dyshim planet e investimeve. Së fundmi, sfidat gjeopolitike rajonale dhe vështirësia që Kosova me Serbinë po tregojnë për arritjen e një marrëveshje, do vijojë të ngadalësojë tregtinë rajonale dhe shansin për një progres të shpejtë Ballkanik ‘në bllok’ drejt Europës”, shkroi Jaço. Megjithatë shprehet se Shqipëria mund të përfitojë investime dhe rritje ekonomike nga negociatat me BE, që sipas tij do sillnin akses në Milliona dollarë fonde dhe ‘ripërtërim’ të aftësive profesionale. Po ashtu përmend konfliktet globale gjeopolitike që po detyrojnë kompanitë perëndimore multinacionale të kërkojnë për tregje të reja prodhimi.
“Por që të përfitojë Shqipëria ka nevojë të përmirësojë ofertën e prodhimit, e cila deri tani është fokusuar vetëm në ‘çmim të ulët’. Dhe që ta bëjë këtë me sukses, si gjithmonë ka nevojë për një partneritet të mirëfilltë të administratës publike me sektorin privat. 2023 do e testojë realisht këtë mundësi”, shkroi Jaço. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi se sfidat e vitit 2023 do të jenë më të ashpra se ato të vitit të kaluar. Duke iu referuar përfaqësueses së FMN, Georgeva thotë se recesioni do të prekë një të tretën e ekonomisë botërore. Arsyeja është se tre ekonomitë më të mëdha botërore, Amerika, Europa dhe Kina po ngadalësohen njëkohësisht. Ndërsa SHBA mund të shmangë një recesion të mundshëm, situata duket më e zymtë në Evropë, e cila është goditur rëndë nga lufta në Ukrainë.
“Gjysma e Bashkimit Evropian pritet të jetë në recesion”, tha përfaqësuesja e FMN, Georgieva.