Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim. Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen. Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.
“Pajtohem me kancelarin [e Gjermanisë, Olaf Scholz kur thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimet e veta”, shtoi Michel.
Kësaj radhe, presidenti i Këshillit Evropian bëri thirrje edhe për caktimin e një agjende të qartë e me afate kohore.
“Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”, tha ai.
Michel paralajmëroi se në samitin e ardhshëm të BE-së liderët do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit. Por, nga temat në kuadër të zgjerimit, ai përmendi vetëm mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe kthimin e Bosnje e Hercegovinës në agjendë. Ai e pranoi se do të ishte ideale që të gjithë të hynin në BE në të njëjtën kohë, por theksoi se procesi i zgjerimit do të vazhdojë të mbesë i bazuar në meritat e vende që janë në proces. Në këtë kontekst ai përmendi edhe përshtatje e vendeve aspiruese me politikat e BE-së, përfshirë edhe në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Michel u bëri thirrje shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe.
“Zgjidhja e konflikteve dypalëshe nga e kaluara mund të jetë më e dhimbshme sesa reformat. Por, është e domosdoshme. Ju në këtë rrugë do të ndiqni rrugën e njëjtë sikurse edhe vendet themeluese të BE-së. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, theksoi ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, duke përsëritur se duhet evituar që konfliktet mes vendeve të ndryshme të bartën në BE, e të cilat më pas mund të përdoren në të ardhmen për të bllokuar proceset e shteteve fqinje, kërkoi që edhe në traktatet e anëtarësimit të përfshihet “klauzola e besimit”. Kjo, sipas tij, do të siguronte që vendet të cilat hyjnë në BE që të mos kenë mundësi të bllokojnë vendet e ardhshme anëtare. Gjatë fjalimit në Forumi e Bledit përsëriti edhe idenë që shtetet kandidate gradualisht të përfshihen në disa politika të BE-së pa pasur nevojë që të presin anëtarësimin formal në bllok. Kjo, sipas tij, do të bëhej në ato fusha në të cilat vendi përkatës do të mbyllë kapitullin në negociatat e anëtarësimit. Në këtë drejtim ai përmendi disa fusha, sikurse atë të energjisë dhe transportit, që tha se do të ofronin mundësi që përfaqësuesit e shteteve kandidate të merrnin pjesë në takimet përkatëse të Këshillit të BE-së. Michel paralajmëroi se gjatë dhjetori do të thërrasë samitin e ri të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor. Ai shprehu mirëkuptim edhe për thirrjet e disa shteteve të BE-së, veçmas të kreut të Francës, Emmanuel Macron, që edhe BE-ja të bëhet gati të pranojë shtete të reja anëtare dhe për këtë çështje të ndërtojë kapacitete absorbuese.
“Pajtohem tërësisht me presidentin Macron. Mosreformimi nga ana jonë para zgjerimit të ardhshëm do të ishte një gabim i madh. Të jemi të sinqertë, nganjëherë kemi shfrytëzuar mungesën e progresit nga vendet e ardhshme anëtare për të evituar mospërgatitjen nga ana jonë. Tani duhet seriozisht të shikojmë kapacitetet e BE-së për të absorbuar vendet tjera anëtare. Kjo ide nganjëherë është keqkuptuar si një pengesë e fshehur për zgjerim. Është e kundërta. Është e kuptueshme që për vendet anëtare ka vlerë t’i bashkohen një BE-je që është efikase“, tha ai. Sipas Michel, ndër argumentet se pse BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim në të ardhmen është se të gjitha shtetet kandidate kanë nivel të ulët të bruto prodhimit vendor krahasuar me atë të BE-së. Prandaj, anëtarët e rij do të përfitonin nga buxheti i përbashkët i bllokut evropian.
Duke përmendur disa herë edhe agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Michel tha se kjo luftë në themel e ka ndryshuar situatën globale të sigurisë dhe ka pasur ndikim të madh në të ardhmen e kontinentit.
“Për të qenë më të fortë dhe më të sigurt ne duhet të forcojmë lidhjet tona dhe të bëhemi më të fuqishëm. Prandaj, tani është koha që të merremi me sfidat e zgjerimit, si për ne në BE, ashtu edhe për shtetet tona të ardhshme anëtare. Por, besoj se ne tani duhet t’i quajmë këto shtete me perspektivë evropiane si shtete të ardhshme anëtare”, tha ai.
Në Forumin e Bledit në Slloveni po marrin pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së. Forumi strategjik i Bledit mbledh çdo vit pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, të cilët ndajnë pikëpamje dhe gjenerojnë ide për të adresuar sfidat e tanishme dhe sfidat e së ardhmes.