Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i ka bërë apel BE-së që të zgjidhë çështjen e rritjes së çmimit të energjisë, pasi kjo problematikë nuk mund të qëndrojë pezull për shumë kohë. Michel deklaroi se Komisioni Evropian nuk mund ta shtyjë propozimin për zgjidhjen e problemeve për shkak të rritjes së çmimit të energjisë deri më 14 shtator, kur Ursula von der Leyen do të mbajë një fjalim për gjendjen e Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për disa media evropiane, Michel tha se nuk mund të humbasin më ditë, pasi që është me rëndësi vendimtare që Bashkimi Evropian të zgjidhë menjëherë çështjen e çmimeve maksimale. Ai theksoi se ky nuk është një problem i ri dhe se diskutimi për të nuk fillon sot, duke shtuar se Këshilli tashmë disa herë i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të dalë me propozime konkrete, në mënyrë që të ndihmojë vendet anëtare të marrin vendime. Von der Leyen tha të premten se ajo është “e bindur plotësisht” se është e nevojshme të përcaktohet çmimi maksimal i gazit rus që arrin në Bashkimin Evropian përmes tubacioneve të gazit dhe se duhet të propozohet të bëhet në nivel evropian. KE në një draft dokument, në të cilin Politico kishte qasje, kërkon kufizimin e çmimit të energjisë elektrike nga burime të tjera përveç gazit, si dhe rishpërndarjen e fondeve nga prodhuesit me fitim të lartë të energjisë në mënyrë që të zbutet ndikimi tek konsumatorët.

Ministrat e Energjisë të vendeve anëtare të BE-së do ta diskutojnë këtë çështje në një takim të planifikuar për datën 9 shtator.

Artikulli paraprakIZRAELI MIRATON RREGULLIN E ÇUDITSHËM: ÇDO I HUAJ QË HYN NË VEND…
Artikulli tjetërBASHKIMI EVROPIAN: JEMI TË PËRGATITUR NËSE MOSKA NDËRPRET TËRËSISHT FURNIZIMIN ME GAZ