Kur duhen edhe 2 ditë që të përfundojë afati për dorëzimin zyrtar të kandidatëve për President të Republikës, ende nuk ka asnjë emër për tu hedhur për votim në raundin e parë të përcaktuar të zhvillohet të hënën e 16 majit, ora 17:00.

E sotmja do të jetë ditë negociatash. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla do të zhvillojë një takim me krerët e grupeve parlamentare të tjera.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka vendosur të mos shkojë në takimin me Taulant Ballën për zgjedhjet e presidentit të ri.

Prezenca e OSBE në Shqipëri ka reaguar për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri duke thënë se e përshëndet procesin përfshirës që do të sjellë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit.

“Ndërsa vendi fillon procedurat parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përshëndet një proces përfshirës, i cili do të sjellë në postin më të lartë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë”, shkruan Prezenca e OSBE në Shqipëri në një postim në Facebook.

Në kryesinë e Kuvendit do të vijojnë negociatat mes kryetarëve të grupeve parlamentare për zgjedhjen e emrit të ri të kreut të shtetit, ndërsa kryeministri Edi Rama, i ka lënë dorë të lirë opozitës që të propozojnë ato të parët emrin e kandidatit për president. Partia Socialiste nuk do të çojë propozim në raundin e parë, i cili do të mbahet në datën 16 maj.

 

Artikulli paraprakZERO EMETIM, NGA VITI 2035 DO TË NDALOHET SHITJA E MOTORËVE ME NAFTË DHE BENZINË
Artikulli tjetërTENTOI TË FUTET ME DHUNË NË KRYEMINISTRI, ARRESTOHET 32-VJEÇARI NË TIRANË! GODITI KABINËN E ROJEVE TË SIGURISË